Transmetuar më 18-06-2019, 14:35

Përgjimet e fundit të publikuara nga “Bild”, kanë sjellë reagime të shumta nga opozita.

Një ditë pas përgjimeve të publikuara nga dosja 184 të prokurorisë për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër, në median gjermane, Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike tha se zyrtarët dhe politikanët e përfshirë duhet të ishin sot në burg.

Bardhi gjatë daljes për mediat, u shpreh se përgjimet tregojnë se kryeministri Edi Rama, qeveria e tij dhe PS, kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.

“Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild janë radiografia e vjedhjes së zgjedhjeve, vepër për të cilat që nga Edi Rama, Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu, Vangjush Dako e me rradhë duhet të ishin sot në burg.

Durrësi dhe Dibra janë dy krime të rënda elektorale, që vërtetojnë se Edi Rama di vetëm të vjedhë, të kërcënojë, të shantazhojë e të blejë vota, duke përdorur krimin, policinë dhe administratën.

Por Durrësi dhe Dibra nuk janë thjesht dy krime të shkëputura dhe rastësore. Përgjimet faktojnë se vjedhja e zgjedhjeve, në bashkëpunim me krimin, është një skemë e ngritur nga Edi Rama dhe e zbatuar nga bashkëpunëtorët e tij. Edi Rama, Qeveria dhe Partia Socialiste kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme”, tha Bardhi.

Ai ka vijuar më tej duke thënë se emrat e sipërpërmendur, janë të shpërblyer me poste dhe detyra të larta shtetërore, nga vetë Edi Rama.

“Damian Gjiknuri, Vangjush Dako, Pjerin Ndreu, Ulsi Manja, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Arben Keshi, Drini Gjeçi, Artan Gaçi, Sali Skura, Bekim Krashi dhe çdo person tjetër që i garanton Edi Ramës funksionimin e skemës së tij kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve janë sot e kësaj dite të pandëshkuar nga drejtësia. Të gjithë janë të shpërblyer me poste dhe detyra të larta shtetërore, nga vetë Edi Rama”, tha Bardhi./a.k/noa.al/