Transmetuar më 10-07-2019, 12:58

Mashtrimi që i bënë kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dy komedianët rusë ka rikthyer edhe njëherë në politikën shqiptare debatin për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje për mediat teksa foli rreth alarmit të Zaev për këtë çështje, tha se kryeministri Edi Rama ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm për një kohë të gjatë të një sipërmarrje të tillë shumë të rrezikshme politike.

Vasili tha se Qeveria Shqiptare sot edhe kësaj dite nuk ka një qëndrim publik zyrtar të qartë dhe të prerë për këtë çështje, ka vetëm një qëndrim periferik jozyrtar, të ish ministrit të Jashtëm shqiptar në një intervistë dhënë në një media të huaj.

“Kryeministri Edi Rama ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm për një kohë të gjatë të në sipërmarrje të tillë shumë të rrezikshme politike. Kjo është pohuar nga ish Kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, nga kryetarja e komisionit të Helsinkit Sonja Biserko, nga ish ministri i jashtëm Vuk Jeremić, nga kryenegociatorja Edita Tahiri dhe nga shumë personalitete shumë shumë të larta të jetës politike Kosovare, deklarata të cilat të gjitha në bllok kurrë nuk janë përgënjeshtruar nga Edi Rama.

Qeveria Shqiptare sot edhe kësaj dite nuk një qëndrim publik zyrtar të qartë dhe të prerë për këtë çështje, ka vetëm një qëndrim periferik jozyrtar, të ish ministrit të Jashtëm shqiptar në një intervistë dhënë në një media të huaj. Në një situatë të tillë është shumë e qartë roli destruktiv i Edi Ramës, bërja palë e tij me axhenda të errëta antishqiptare dhe jo transparente të cilat ka zgjedhur ti mbulojë me heshtje ose me shpresën se projekti do të ecte përpara, e pastaj do të rishfaqej në rrolin e protagonistit, i cili kishte qëndruar në prapaskenë për të marrë përfitimet e këtij projekti”, u shpreh Vasili

Në fund ish-deputeti adresoi 5 pyetje për kryeministrin  Rama.

“Së pari, përse Edi Rama hesht ndërkohë që Angela Merkel është tepër e qartë dhe e prerë në qëndrimin e saj kundër këtij projekti?

2.Kush e pengon Edi Ramën që të jetë dhe ai i prerë dhe i qartë ashtu si Kancelarja Merkel?

3.Përse Edi Rama nuk e ka ndarë këtë shqetësim të këtij projekti me një rrezikshmëri tepër të lartë me të gjithë partnerët strategjik më të rëndësishëm, ashtu sikurse ka bërë kryeministri Zaev, i cili ka komunikuar me të gjithë ata, por Edi Rama ka zgjedhur të mos komunikojë dhe të rrezikojë stabilitetin e rajonit, pavarësisht ndjeshmërive maksimale dhe shumë të mëdha që ky projekt do të kishte.

4.Kush e ka shtyrë dhe interesave të kujt i shërben kryeministri i Shqipërisë që përfshihet në veprimet dhe mosveprimet e tij në një projekt kaq të rrezikshëm me pasoja kaq të rënda të integritetit territorial të Kosovës, por me pasoja tepër të rënda për rajonin dhe mjaft më gjerë se kaq, ashtu sikurse dhe kryeministri Zaev nënvizon në prononcimet e tij?

5.Përse dhe në interes të kujt, Edi Rama rrënoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe paqe në rajon dhe u përfshi në axhenda të tilla destabilizuese dhe konflikt nxitëse?”