“Qemal Stafa”/ Debate dhe reagime të ashpra për stadiumin e ri kombëtar, emri afat deri më 15 gusht
Transmetuar më 24-07-2019, 21:01

Stadiumi i ri “Arena Kombëtare”, me kapacitet mbi 22 mijë vende të ulura, do të jetë gati në shtator.

Por stadiumi mitik, që mbante emrin Qemal Stafa”, heroit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, nuk do të ketë më këtë emër.

Nuk do të ketë as emrin “Arena Kombëtare”, siç e pagëzoi qeveria kur nisi ndërtimi i tij.

Federata Shqiptare Futbollit njoftoi pak ditë më parë se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe përfitime të tjera.

Ishte “Arena Kombëtare” emri që e shoqëroi stadiumin e ri në kryeqytet vetëm gjatë fazës së ndërtimit të tij, por shumë shpejt ky stadium do të ketë një emër të ri, emrin që do t’i vërë sponsori.

Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në ankand dhe ka shpallur kriteret për sponsorët që dëshirojnë t’i vënë stadiumit emrin e tyre. Ankandi fillon me shifrën dysheme prej 600 mijë eurosh dhe emri i stadiumit do të shitet për një afat kohor prej 5 vjetësh.

Bardhyl Minxhozi, Drejtori i Stadiumit tha se ky është një vendim që nuk lidhet me të kaluarën por me të ardhmen e sportit, pasi kërkohen investime të vazhdueshme.

Deri më 15 gusht pritet që të propozohet edhe emri që do të mbajë stadiumi kombëtar.

Propozimi i FSHF-së për t’ia dhënë një kompanie private të drejtën e emrit ka sjellë reagime të shumta.

Një ndër reagimet më të forta, të thurura në vargje ka qenë ai i poetit të njohur Arben Duka:

Disa nga vargjet e tij, botuar tek "Dita:, ku edhe kritikon ashpër klasën politike, për këtë vendim:

Po Heronjtë e Luftës,

tonë çlirimtare,

janë një krenari,

mbarëkombëtare!

Ramër e Lulashër,

do venë e do vinë,

po të gjithë Heronjtë,

kanë pavdekësinë!

Dhe kur emër tjetër,

stadiumi të ketë,

emri i Qemalit,

do të jetë përjetë!

Kush del kundër Luftës,

tradhtar do mbetet,

dhe emri si kripa,

në ujë do t’i tretet!

Në mos unë një tjetër,

do thotë përsëri:

“Sa bukëshkalë ke nxjerrë,

o moj Shqipëri!”.

Sa bukëshkalë ke nxjerrë,

të rinj e të vjetër,

gjaku i Heronjve,

do t’i zërë patjetër!

/a.m/noa.al/

Loading...
Loading...