Transmetuar më 31-07-2019, 12:07

Një video tregon se si llalla e derdhur në rrugë ka lënë një gjurmë që nuk fshihet, gjë që nuk ndodh me qumështin natyral. Kompania e cilësoi “Fake neës” dhe garantoi se prodhimet e saj janë qumësht 100% natyral. Nuk po merrem me origjinalitetin e videos, por me problemin në tërësi.

Gazetari Mentor Kikia, nisur nga një denoncim publik për cilësinë e produkteve të një kompanie bulmeti, thotë se një video është duke bërë xhiron e rrjeteve sociale. Ai shton se “bëhet fjalë për “Lufra”-n, prodhuesin më të madh të qumështit dhe nënprodukteve të tij në vend.”

Sipas tij, “të gjithë prodhuesit pretendojnë se shesin produkte 100% natyrale. Por në 17 muajt e fundit, (2018 + Janar-Maj 2019) në vend kanë hyrë 4,600 ton vaj palme dhe 1,100 ton qumësht pluhur.”

“Burime jo zyrtare thonë se pjesa dërrmuese e këtyre produkteve përfundojnë në fabrikat e bulmetit. Për vitin e shkuar prodhimi i qumështit u rrit me 1,4% ndërsa tregu i bulmetit u zgjerua me rreth 20%.”

Ai i bën thirrje autoriteteve të kryejnë kontrollet e nevojshme.

“Beteja mes medieve (portaleve veçanërisht) dhe bizneseve nuk është e re. Por, ndërsa flitet për ushqimin që ne hamë, kjo nuk duhet konsideruar një “gjë” e rëndomtë.:

“Nëse ka sulme të qëllimshme nga media të caktuara, atëherë ato duhet të mbajnë përgjegjësi për panikun e krijuar tek konsumatorët dhe dëmin ndaj biznesit. Nëse biznesi abuzon me cilësinë, ai duhet ndëshkuar, tashmë edhe sipas ligjit të ri.”

Kritikat, gazetari Mentor Kikia i shoqëron edhe me ndonjë ironi për drejtuesit apo ish-ministrisë përkatëse.

“Por analizat nuk duhet ti bëjë ministri duke pirë kos, si Edmond Panariti dikur. Për ti dhënë fund shkallës skandaloze të mosbesimit, abuzimit të pretenduar, por edhe sulmeve “Fake neës”, AKU duhet që analizat ti bëjë publike.”

“Qytetarët duhet të informohen se ato që konsumojnë janë vërtet të sigurta dhe produktet që blejnë janë vërtet ashtu siç shkruhet në etiketa. Dhe ky është një detyrim si ndaj qytetarëve ashtu dhe ndaj vetë prodhuesve.”/a.m/noa.al/