“Plazh i lirë”, liron 4500 m2 plazh në Shëngjin dhe Velipojë, gjashtë persona nën hetim
Transmetuar më 06-08-2019, 09:46

Në vijim të operacionit “Plazh i lirë”, policia ka liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m2 plazh, pronë publike në Shëngjin dhe Velipojë, të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga gjashtë subjekte.

Nga këto 3500 m2 në Shëngjin dhe 1000m2 në Velipojë, ndërkohë që janë sekuestruar rreth 450 shezlongë dhe 250 çadra, si dhe janë proceduar penalisht gjashtë persona.

Kështu është procedohet përsëri për “Shpërdorim detyre” shtetasi A. N., me funksion Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, për katër rastet e fundit të konstatuara në Shëngjin.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Task – Forcën të ngritur nga Prefekti i Qarkut Lezhë , proceduan penalisht katër persona për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”,

Konkretisht M. Gj., L. P., F. N., dhe GJ. GJ., pasi këta shtetas kishin zaptuar hapësirën publike rërë në Shëngjin, duke vendosur rreth 350 shezlongë dhe 150 çadra pa kontratë përdorimi qira me Bashkinë Lezhë.

Në Velipojë, Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH, ka liruar një hapësirë publike rreth 1000 m2 të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy shtetas, pronarë të subjekteve që ushtronin veprimtari në zonën e plazhit në fshatin Pulaj – Plazh.

Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 100 çadra dhe 100 shezlongë, që shtetasit XH. B. e E. S., kishin vendosur në mënyrë të kundërligjshme para lokaleve në administrim, duke zënë hapësirën publike dhe duke mos paguar taksat për to.

Në përfundim të veprimeve, u proceduan penalisht shtetasit XH. B. e E. S., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Aktualisht operacioni vijon në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...