Shqiptari Kraja shpik vaksinën kundër tumoreve, merr patentë europiane
Transmetuar më 08-08-2019, 07:08

Profesor Shuajp Kraja është shpikësi i parë shqiptar që gëzon të drejtën mbi patentën evropiane për vaksinën kundër kancerit.

E konsideruar si një shpikje inovative në fushën e mjekësisë, lëshimi i kësaj patente nga Organizata Europiane e Patentave (EPO), i hap rrugën procedurave për marrjen e autorizimit të prodhimit nga Bashkimi Europian.

Në kuadër të studimit pilot me pacientë vullnetarë, me Bi vaksinën antikancer janë trajtuar e shëruar për një kohë të gjatë disa dhjetëra raste ndër vite.

Ajo shfaq siguri të plotë në trajtimin dhe shërimin e formave të ndryshme të kancerëve, pa rishfaqje të tyre.

Bi vaksina përbën një mënyrë mjekimi shumë më të përshtatshme që konkurron dhe do të zëvendësojë ”artilerinë” e rëndë të kimioterapisë dhe radioterapisë si një gjilpërë inteligjente (timolimfocite hiperimune me informacion selektiv të ri), që do të jetë në gjendje ndërmjet triliona qelizash të organizmit (normale dhe malinje), të dallojë dhe të vrasë në mënyrë selektive qelizat malinje pa dëmtuar qelizat e shëndosha të organizmit.

Bi vaksina aplikohet për mjekimin e formave të ndryshme të kancerit dhe po ashtu vlen në imunizimin kundër shfaqjes së kancerit në persona të shëndoshë, por të predispozuar për të zhvilluar kancer.

Patenta për këtë shpikje njihet në shumë shtete dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare si Zyra Europiane, Gjermania, Zvicër, Francë, Britania e Madhe, Irlandë, Shqipëri, Kosovë e Kroaci.

Prof. Shuajp Kraja ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1936. I specializuar për biologji molekulare, Prof Kraja ka një karrierë të pasur shkencore e akademike, që i kalon kufijtë shqiptarë.

***

Shuajp Kraja është shkencëtari i parë shqiptar, shpikja e të cilit ka marrë patentën europiane. Dhe është pikërisht, krijimi i vaksinës kundër kancerit, me të cilën emri i profesorit nga Shkodra, është bërë i njohur në shumë shtete.

Në 16 Qershor të këtij viti, profesori ka marrë patentën nga Rrjeti Europian i Patentimit.

Sot, profesori shkodran numëron më shumë se 12 shtete të cilat i kanë dhënë pashaportën për  vaksinën anti-kancer.

Në prononcime mediatike të javëve të fundit, Profesor Kraja tregon për jetën e vet dhe rëndësinë e vaksinës anti-kancer.

Është njeri modest, nuk i pëlqen të flasë shumë për veten, pasi vlerësimi që ka marrë dhe nga ndërkombëtarët është përgjigjia më e mirë.

“Të flasë puna ime dhe jo unë. Kam mbaruar studimet në fushën e biologjisë molekulare në Tiranë, tregon Kraja.

Kur ishte vetëm 23 vjeç, ka krijuar vaksinën kundër turbekulozit.

“Isha ende në shkollë kur mamaja ime u sëmur nga turbekulozi, isha i vendosur që ta shëroja nënën time. Dhe ia arrita qëllimit, pasi ime më jo vetëm që u shërua por jetoi deri në moshën 90 vjeçare. Më pas, ndoqa vizionin për të krijuar vaksinën kundër kancerit, dhe pse për këtë të fundit e kam pasur si qëllim edhe kur isha student.”

Duke sfiduar mentalitetetin e viteve 1960-70 , Kraja ka shkaktuar shumë polemika si biolog. Dhe pikërisht prej tyre, burgoset në burgun e Spaçit.

“Kam pasur shumë vështirësi politike, pasi idetë e mija kanë qenë gjithmonë inovative. Por pasi dola nga burgu, jam kthyer në Shkodër ku kam hapur laboratorin tim, të cilin e ndava në 7 sektorë, aty përfshiva edhe sektorin e biologjisë molekulare-gjenetike. Kanë ardhur shumë shkencëtarë të huaj që e kanë vlerësuar, por në atë kohë nuk njihej si laboratori i imi. Pasi nuk mund të thuhej e besohej që një ish-i burgosur i Spaçit kishte formuar një laborator të atyre parametrave. Kjo ishte një periudhë latente e imja, pasi në çdo gjë që krijoja quhesha i burgosur politik e nuk më jepeshin meritat, por unë përsëri punoja në mënyrë korrekte.”

Kraja është kryetar i Këshilit Shkencor dhe drejtor i Institutit Internacional të Bioteknologjisë.

“Dua që këtë të fundit ta furnizoj me apartura moderne në mënyrë që të vazhdoj me zhvillimin dhe prodhimin e vaksinës kundër kancerit. Por çmimet e larta të mjeteve të nevojshme dhe mospasja e fondeve të nevojshme më ka privuar.”

Babai i tre fëmijëve, refuzon të bëjë prodhimin e vaksinës kundër kancerit në vende të tjera, dhe thotë që gjithmonë do të përpiqet për të zhvilluar vendin e vet.

“Jashtë vendit kam bërë vetëm projekte shkencore, por krijimin e vaksinës e kam finalizuar të gjithin në Shqipëri. Dhe prandaj nuk dua që ta prodhoj në shtete të tjera.

Shkencërisht ka mbaruar, tani pritet vetëm për ta prodhuar. Por ky është problemi pasi këtu mungojnë mjetet, nuk ka aparatura. Është turp që të mos investohet në diçka që jo vetëm që do të ndihmojë njerëzit të shërohen, por do t’i sjellë fitime shumë të mëdha vendit.”

Ja çfarë bën Vaksina anti-kancer

Vaksina mjekon format e ndryshme të kancerit te personat e prekur, por gjithashtu parandalon shfaqjen e kancerit edhe në persona të shëndoshë.

Vaksina do të aplikohet në formën e një gjilpëre inteligjente (timolimfocite hiperimune me informacion selektiv të ri), e cila do mund të dallojë dhe vrasë në mënyrë selektive qelizat malinje, pa i shkaktuar dëmtime qelizave normale të organizmit. Vaksina është testuar nga pacientë shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë konfirmuar efektet shëruese të saj.

Loading...
Loading...