Lirimi i plazheve, Rama: Dy xhunglat e krijuara nga rrumpalla e bashkive të djathta
Transmetuar më 10-08-2019, 11:06

Aksioni anti-informalitet është shtrirë në bregdetin e Shëngjinit dhe Velipojës ku janë liruar 10500m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme, vihen nën hetim 9 persona mes tyre edhe drejtorë pranë bashkisë së Lezhës.

Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili i quan plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës si dy nga xhunglat më të mëdha të krijuara nga rrumpalla e kahershme e dokumenteve të pronësisë dhe paaftësia kronike e bashkive të djathta.

“Plazhet e Shëngjin-Velipojës, janë mbase dy xhunglat më të mëdha, që ka krijuar rrumpalla e kahershme e dokumenteve të pronës dhe paaftësia e zullumhania kronike e bashkive të djathta. Çlirimi i tyre nga zaptuesit vazhdon përditë, por fundi pa kthim i lukunisë së zaptuesve, do të vijë me Ligjin e Ri për Vijën Bregdetare dhe dorën e hekurt që falë këtij ligji, shteti do të mund të vendosë nga viti që vjen, për t’ia kthyer përfundimisht plazhin Popullit", shkruan Rama teksa ka postuar foto nga aksioni i policisë.

Ndërkohë Policia e Lezhës ka liruar në plazhin e Kunes në Shëngjin rreth 8000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 500 çadra e shezlongë.

Aksioni ka vijuar edhe në Velipojë ku janë liruar rreth 2500 m2 plazh si dhe janë sekuestruar 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige). Operacioni vijon në gjithë vijën bregdetare të vendit./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...