PD publikon dokumentin: Valdrin Pjetri i dënuar në Itali për trafik droge
Transmetuar më 13-08-2019, 12:51

“Edi Rama hesht prej 2 javësh që kur Partia Demokratike zbuloi për opinionin publik se kandidati i tij për Kryetar të Bashkisë Shkodër është një trafikant droge, i dënuar në Itali 16 vjet më parë. Me heshtjen prej fajtori, Edi Rama provoi edhe njëherë se bashkëqeverisja me krimin e organizuar është projekti i tij i vetëm që i siguron pushtetin”.

Kështu tha në një dalje nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Ai akuzoi se në këto gjashtë vjet të drejtimit të vendit, Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave.

Bardhi tha se Edi Rama hesht për të mbrojtur Valdrin Pjetrin dhe karrigen e tij të kalbur nga bashkëpunimi me krimin dhe se ai hesht megjithëse ka marrë zyrtarisht përgjigje që Valdrin Pjetri është i dënuar dhe sipas ligjit nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik përfshirë atë të kryetarit të Bashkisë.

Sekretari i PD akuzon se me vetëdije, me informacion të plotë për të kaluarën kriminale si trafikant droge, Edi Rama e emëroi Valdrin Pjetrin në 24 korrik 2019 si drejtues politik të Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër.

Ai tha se Edi Rama e dinte që Valdrin Pjetri ishte një trafikant droge i dënuar në Ital dhe se të vërtetën mbi të kaluarën kriminale të Valdrin Pjetrit, Kryeministri e ka mësuar nga të njëjtat burime diplomatike, në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike.

Por sipas tij, në vend që të distancohej menjëherë nga drejtuesi i tij politik në qarkun Shkodër, Edi Rama heshti dhe urdhëroi Valdrin Pjetrin të mashtronte qytetarët e Shkodrës, duke i premtuar atij mbrojtje nga drejtësia dhe se pesë ditë më parë Valdrin Pjetri u detyrua të mohonte të kaluarën e tij kriminale.

Ai shtoi se mashtrim ishte edhe publikimi i disa ditëve më parë, ku drejtuesi politik i Edi Ramës në Qarkun Shkodër, njëlloj siç bëri disa vite më parë edhe Elvis Rroshi i Kavajës, nxori dëshminë e penalitetit për të mohuar dënimin.

Por ai nënvizoi se çdo shqiptar e di se pas kalimit të 10 viteve nga momenti i dënimit, dëshmia e penalitetit del e pastër dhe se aty nuk shfaqen dënimet e mëparshme.

E vërteta është se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar, për trafik droge, deklaroi Bardhi, duke thënë se duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, Partia Demokratike po sjell prova autentike për dënimin në Itali, Firenze, të drejtuesit politik të Edi Ramës në Shkodër, pretendentin për kryetar Bashkie.

Kjo që shikoni më poshtë është kartela elektronike e të dhënave kriminale e publikuar nga Bardhi, për të cilën thotë se ështrë nxjerrë nga sistemi i Kuesturës së Firences.

Dokumentet e dënimit sipas sistemit të kuesturës së Firences by Anonymous MjostHRqY6 on Scribd

Sipas këtij dokumenti zyrtar, ai tha se rezulton se:

Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 Shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence.

Më datë 28 Janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal Italian.

Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.

Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit.

Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti Italian.

Të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.

Bardhi vijoi më tej duke thënë se sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:

– “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e e narkotikëve”.

– Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, siç ëhstë Italia në rastin e Valdrin Pjetrit, në lidhje me këto vepra penale.

Sipas tij, për këtë kategori personash, sipas ligjit të dekriminalizimit (neni 4), ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.

“Megjithëse përfshihet në një nga pikat më të forta të ligjit të dekriminalizimit, këmbëngulja e Valdrin Pjetrit për t’i shkuar mashtrimit të tij deri në fund, provon se ai ka mbrojtje në nivelin më të lartë të pushtetit. Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është ai kumbari i Valdrin Pjetrit, me kandidimin e të cilit poshtëron qytetarët e Shkodrës”, deklaroi ndër të tjera Gazment Bardhi.

Në emër të Partisë Demokratike ai i kërkoi Prokurorisë nisjen e menjëhershme të procedimit penal ndaj shtetasit Vladrin Pjetri, për kryerjen në mënyrë të përsëritur, në të paktën 4 raste, të krimit të falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...