Transmetuar më 19-08-2019, 14:28
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Fag”, ka goditur një rast të tentativës së kultivimit të bimëve narkotike.

Efektivët e komisariatit nr.4 bënë arrestimin e N. A., 55 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fag, të Njësisë Administrative Shëngjergj, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu kanë shpallur në kërkim djalin e tij, shtetasin E.A.

Arrestimi i 55-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e djalit të tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e policisë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në brendësi të pyllit të fshatit Fag, janë konstatuar të mbjella fidanë kanabis.

Si rezultat i punës hetimore dhe provave ligjore të sekuestruara në vendin e ngjarjes, dyshohet se babë e bir janë autorë të kësaj vepre penale.

Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 65 fishekë.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”. /a.y/noa.al