Transmetuar më 20-08-2019, 08:38
Emiljano Shullazi

Këtë të hënë drejtori i burgut “313” në Tiranë, Maksim Hamitaj u pezullua nga detyra me firmë të drejtorit të Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, teksa pritet shkarkimi i tij.

Kjo pasi Hamitaj akuzohet se ka shkelur ligjin, duke favorizuar në takime shtesë me të afërm të burgosur të ndryshëm, mes tyre edhe Emiljano Shullazi.

Në vendin e Hamitaj, është komanduar Qazim Hoxha, i cili deri më tani ka qenë në krye të burgut të Durrësit.

Shkeljet e konstatuara kanë bërë që ministria e Drejtësisë të nis një verifikim të përgjithshëm për ta dhe të hap garën për drejtues të rinj burgjesh.

Kriteret për të interesuarit janë: Të zotërojë të paktën diplomë të nivelit “Master Shkencor” ose “Master Profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike apo të barasvlershme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët ekonomi, drejtësi, punë sociale, sociologji, psikologji, ose diploma të barasvlershme me to në fushën e rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjes.

-Të ketë një përvojë pune për të paktën 10 vjet në pozicione nga të cilat 3 (tre) vjet në pozicione drejtuese, në Administratën Publike, ne Sistemin Penitenciar, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Institucionet Ndërkombëtare brenda ose jashtë vendit si dhe Institucionet e arsimit të lartë. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje. Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi. /a.y/noa.al