Transmetuar më 05-09-2019, 16:21

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sot në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë dhe Dita e Shenjtërimit e Nënë Terezës, u shpreh se këto dy ditë janë "të lidhura fort me njëra-tjetrën në mesazhin njerëzor e të rëndësishëm që përcjellin, humanizmit e solidaritetit ndaj njerëzve në nevojë.

Për këtë arsye, Meta iu bashkua dhjetëra të rinjve e të rejave të fondacionit “Fundjavë Ndryshe” që me vullnetarizëm organizuan sot një seancë dhurimi gjaku.

"Duke e falenderuar këtë Fondacion bamirës, edhe për kontributin e madh të dhënë për lehtësimin sado pak të dhimbjes dhe varfërisë së mijra qytetarëve, jam besimplotë se kjo fushatë ndërgjegjësimi për kauzën humane të dhurimit të gjakut nuk do të ndalet deri në përmbushjen e qëllimit të saj qytetar dhe fisnik", theksoi Meta në mesazhin e tij.

"Sikurse ka qenë edhe motivacioni në dhënien e Çmimit Nobel për Shën Nënë Terezën, nuk duhet të harrojmë se mjerimi, varfëria dhe vuajtjet janë shpesh një kërcënim për paqen. Vetëm përmes një angazhimi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, për të mbyllur këto plagë sociale, ne jo vetëm do dhurojmë shumë dashuri e shpresë, por njëkohësisht do forcojmë paqen dhe begatinë në komunitetet, familjet dhe në Shqipërisë tonë", nënvizoi më tej Presidenti i Republikës./a.m/NOA.al