Transmetuar më 06-09-2019, 14:07

Ajo çfarë konsumoni çdo ditë është më e rëndësishme nga sa mund të duket në moment. Çdo ushqim, gatim apo pije jep efektet e veta në organizëm, qofshin këto pozitive apo negative. Në këtë përfundim kanë dalë edhe mjekët në një stadium të fundit.

Migrena është një sëmundje kronike që shkakton dhimbje të vazhdueshme koke. Ajo mund të shfaqet pa pritur në çdo fazë të jetës. Megjithëse shpesh herë shkaqet nuk janë në dorën e personave që vuajnë nga kjo sëmundje, stili i jetesës mund të jetë favorizues ose jo. Ka një diskutim të gjatë dhe të njohur mbi konsumimin e kafeinës dhe dhimbjen e vazhdueshme të kokës.

Një studim i Universitetit të Harvardit, hedh dritë mbi disa të dhëna në lidhje me sëmundjen e migrenës. Ekspertët mblodhën të dhëna nga përafërsisht 100 persona, të cilëve iu duhej të shënonin sasinë e saktë të konsumimit të kafes në ditë.

Këtu u përfshinë edhe pije të tjera me përmbajtje të lartë kafeine siç janë çajrat e fortë, si çaji i zi apo pijet me gaz. Të gjithë pjesëmarrësit në studim kishin shenja të kësaj sëmundje kronike dhe dhimbje koke të vazhdueshme. Rezultatet treguan se gjatë konsumimit të këtyre ushqimeve specifike, dhimbja e kokës ndër këta persona bëhej më intensive dhe e shpeshtë.

Ekspertët rekomandojnë që nëse vuani nga migrena të mos konsumoni më shumë se tre filxhanë kafe në ditë. Sasia e kafeinës është e ndryshme në pije të ndryshme, por nuk duhet të kaloni 180 mg në ditë.