Jep dorëheqjen zyrtari i lartë i PD-së, shpjegon edhe arsyet
Transmetuar më 08-09-2019, 15:39

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, Gerti Bogdani, ka dhënë dorëheqjen nga ky post.

Me anë të një statusi në Facebook, Bogdani sqaron se e ka marrë këtë vendim për shkak se mendon që ka ardhur koha për të pranuar sfida të reja.

“Si rezultat i një kohe të gjatë në këtë pozicion, besoj ka ardhur koha për të pranuar sfida dhe angazhime të reja, për të vazhduar të jap kontributin tim për forcimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike.

Ju garantoj ju dhe çdo anëtar të Partisë Demokratike që angazhimi dhe përkushtimi në këto sfida të reja, do të jetë gjithmonë maksimal dhe gjithmonë duke ruajtur parimin se të drejtat, mirëqenia dhe shpresa e munguar, jo vetëm e çdo demokrati, por mbi të gjitha e çdo qytetari të ndershëm shqipetar, do të jetë ylli polar i punës sime.

Ndaj, në këtë kuadër i kam kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike të pranojë dorëheqjen time nga pozicioni i Sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike”, sqaron Bogdani.

Ai qëndron në krye të kësaj detyre që prej vitit 2007. /k.k/noa.al/

Loading...
Loading...