Plagosja me armë zjarri e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lezhë, ka pasur si motiv një karikues celulari.
Kjo pasi i plagosuri Ardian Kola ka shkuar në dyqanin e Aleksandër Dedgjonaj për të blerë një karikues.
Mirëpo pasi është larguar nga dyqani ai ka konstatuar se karikuesi nuk punonte, duke u kthyer te dyqani i Dedgjonaj.
Teksa Kola i ka thënë të zotit të dyqanit se karikuesi nuk punonte, ky i fundit i është përgjigjur se e kishte prishur vetë.
Nga aty nisi konflikti fizik, ku më tej Dedgjonaj ka qëlluar me armë 37-vjeçarin, duke e plagosur në këmbë.
Si i dyshuar për ngjarjen është bërë shpallja në kërkim e Aleksandër Dedgjonaj.
Nga hetimet e policisë rezulton se i plagosuri dhe i dyshuari njiheshin me njeri tjetrin, pasi kanë biznese pranë njeri tjetrit.
Kola ka një biznes ku jep makina me qera, ndërsa Dedgjonaj ka një dyqan celularësh.
Lidhur me rrethanat e ngjarjes, hetimet janë në vijim, për të zbuluar më shumë. /a.y/noa.al