Transmetuar më 11-09-2019, 14:13
Tre gjyqtaret nen akuze

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me nga 3 vjet e gjysmë burgim për tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Durrësit të akuzuar për korrupsion, Petraq Dhimitri, Petrit Ceno dhe Kliton Spahiu, të cilët akuzohen se kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadiku.

Ndërkohë për biznesmenin Prokuroria kërkoi dënimin me dy vite burg, ndërkohë që në rast deklarimit fajtor, katër të akuzuarit do të përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit.

Biznesmeni Namik Sadiku, akuzohet se ka paguar udhëtimet e tre gjyqtarëve jashtë vendit, në një rast për të parë një ndeshje futbolli në Spanjë.

Për këto përfitime, sipas Prokurorisë, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadiku.

Si prova, Prokuroria radhit udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palë pikërisht këtë biznesmen.

Qëllimi i vizitës ndaj tyre ishte për të ndjekur derbin “El Clasico” mes Real Madrit dhe Barcelonës. /a.y/noa.al