Deputetja dhe motra e kryeministrit grek, Bakojanis: Të rikthehet pakti detar që bëmë me Berishën!
Transmetuar më 13-09-2019, 18:05

Dora Bakojanis, deputetja greke, njëherësh motra e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka kërkuar të rikthehet marrëveshja detare e bërë mes dy vendeve fqinje në vitin 2009.

Qeveria shqiptare, kur u arrit kjo marrëveshje, drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha, por ajo u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e vendit tonë.

Si një nga drejtueset e partisë në pushtet “Demokracia e Re’, Bakojanis ka theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar dukshëm vitet e fundit.

“Situata me Shqipërinë është përkeqësuar dukshëm vitet e fundit. Nuk krahasohet niveli i marrëdhënieve aktuale me Shqipërinë me ato të periudhës qeverisëse të “Demokracisë së Re” dhe Kostas Karamanlis (2004-2009), kur nënshkruam marrëveshjen detare”, tha ajo.

“Sipas mendimit tim, marrëveshja e atëhershme nuk duhet braktisur", shtoi Bakojanis .

Lidhur me kohën kur Greqia u qeveris nga Tsipras, ajo shtoi se "qeveria e mëparshme e anashkaloi, në kërkim të një formule të re. Sidoqoftë, marrëveshja e 2009-ës duhet të përbëjë bazë për çdo negociatë të re, sidomos tani, me pretendimet e palës shqiptare ndaj qeverisë greke. Meqenëse shanset nuk shfaqen shpesh në politikën e jashtme, tani që Shqipëria ka nevojë për ne, diskutimet e qarta do sjellin dhe rezultate të prekshme”.

Por Bakojanis nuk tha nëse Shqipëria sot është dakord me atë marrëveshje, aq më tepër që vendi nuk ka as edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionale, çka do të thotë se qeveria Shqiptare nuk mund të bëjë dot asnjë përpjekje qoftë për të rikthyer marrëveshjen e kaluar apo një të re.

Marrëveshja e detit në vitin 2009 me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në prill 2010, duke u konsideruar si antikushtetuese. Kjo marrëveshje u firmos në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike, kur kryeministri ishte Sali Berisha dhe ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili aktualisht drejtën Opozitën Shqiptare./a.m/NOA.al

Loading...
Loading...