Negociatat, Basha: Rama ka zgjedhur rrugën e gabuar, dështimi mban vulën e tij
Transmetuar më 08-10-2019, 13:12

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke folur pas takimit që pati në selinë blu me Ministrin Federal për Evropën, Integrimet dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrugën e gabuar në raport me integrimin e vendit kur ka mbetur edhe një javë nga vendimi i Brukselit për negociatat.

“Ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë në raport me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare, duke mosplotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatave. Rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga e gabuar në këtë javë që ka mbetur për marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë.

Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj BE, qeverive europiane, e sulmeve ndaj shënjestrës së preferuar opozitës, PD, madje dhe qytetarëve, medias për të hequr vëmendjen dhe përgjegjësinë”, u shpreh Basha.

Kreu demokrat tha se Rama fajëson çdokënd tjetër për dështimin e katër radhazi përveçse vetes. “Dështimi për herë të katërt ka vetëm një vulë, vetëm një firmë, vetëm, një emër, ai është Edi Rasma. Po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe zgjidhur problemet që na mbajnë peng”, shtoi ai.

Basha tha se opozita e bashkuar është në krye të detyrës dhe se propozimi i tyre për daljen nga kriza dhe reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...