“Tërmeti nuk “mundet” me qese ushqimesh, ASH u kthye në një “klub” pensionistësh me Gjinushin në krye”
Transmetuar më 09-10-2019, 13:56

Opinion nga Mentor Kikia

Ky është një studim i thellë shkencor i pasojave të tërmetit të 15 Prillit 1979, i Akademisë së Shkencave. Është prezantuar fiks një vit pas tërmetit, në prill 1980. Pas kësaj, qeveria e kohës nxori vendime për kritere të reja ndërtimi sipas zonave sizmike, për të rritur rezistencën ndaj tërmeteve. Kritere që janë në fuqi edhe sot, por që nuk zbatohen.

Çfarë ndodhi pas tërmetit të 21 Shtatorit, më i forti që nga 1979-ta?

Ca qese me ushqime dhe disa miliona Euro të nxjerra nga fondi rezervë i qeverisë mjaftuan për ta konsideruar të tejkaluar këtë termet. Ndërsa ndërtuesit deklaruan me krenari se pallatet janë të forta.

Por nuk është tamam kështu. Ka shumë godina të larta që kanë pësuar dëme në strukturë. Më e keqja se vetë tërmeti është se ai nuk po shfrytëzohet për të nxjerrë mësime e për të përmirësuar standardet, por po shfrytëzohet nga kompanitë e sigurimeve për ti kërkuar qytetarëve të sigurojnë banesat. Ndërsa qeveria vrapoi të bënte foto e filmime me masat që mori.

Përse kanë pësuar dëmtime ndërtesa nga një tërmet 5.8 ballë në një zonë si Durrësi që, me ligj duhet të mbrohet nga tërmete deri në 8 ballë? Përse nuk është hapur asnjë hetim për projektet dhe mënyrën e zbatimit të tyre? Tërmeti i 21 Shtatorit nuk duhet të shërbejë vetëm për të forcuar “unitetin Parti-Popull”, por duhet të shërbejë për të përplasur pas mureve të çara projektuesit dhe ndërtuesit, për të forcuar kriteret dhe monitorimin e zbatimit të tyre. Detyra e qeverisë nuk është vetëm të dalë në TV duke shpërndarë çadra e ushqime dhe të paguajë miliona euro dëmshpërblime sa herë ka përmbytje apo bien tërmete. Por të marrë masa, mbi baza shkencore, që këto fenomene të shmangen, sa të jetë e mundur, dhe t’u miniomizohen pasojat.

Por ne kemi vendosur që shkenca nuk na hyn më në punë, ndaj dhe akademinë e bëmë një "klub" pensionistësh me Gjinushin në krye./NOA.al

Loading...
Loading...