Transmetuar më 10-10-2019, 07:45

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku në rrethana ende të paqarta është djegur mjeti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Ngjarja ndodhi rreth orës 04:26, në lagjen “Lef Sallata”, pranë zyrave të punës. Burime zyrtare nga policia thane se ka marrë flakë automjeti tip ‘Range Rover’ në pronësi të Bashkisë Vlorë (mjet që përdorej nga Kryetari i Bashkisë Vlorë), ku si pasojë e flakëve ka marrë zjarr edhe një automjet tjetër tip Ford, parkuar në afërsi.

Drejtuesi i mjetit Range Rover, shtetasi E.T (shoferi i Kryetarit të Bashkisë) e kishte parkuar mjetin pranë pallatit ku banon. Ndërsa mjeti tjetër tip Ford është në pronësi të shtetasit B.A.

Si pasojë e flakëve, të dy mjetet janë dëmtuar plotësisht.

Policia ka ngritur një grup hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme në lidhje me përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./b.l/noa.al/