Transmetuar më 18-10-2019, 18:12

Kryeministri Edi Rama dhe kandidati për kryeministër në Kosovë Albin Kurti do të takohen së shpejti.

Kjo u konfirmua në konferencën që kryeministri Rama po zhvillon me gazetarët, i cili shtoi se ka edhe disa propozime të reja për fituesin e zgjedhjeve në Kosovë.

Një prej këtyre propozimeve, tha Rama, është “krijimi në të dy shtetet të Ministrive për Bashkëpunimin”.

“Të krijohet një Ministri Shteti për Bashkëpunimin me Kosovën dhe atje një Ministri Shteti për Bashkëpunimin me Shqipërinë, të cilat do të ndjekin marrëveshjet dhe çfarë duhet bërë më tutje”, tha Rama.

Rama kritikoi edhe Qeverinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj: “Mendoj se duhet të shkojmë përtej marrëveshjeve të bëra dhe të mbushim boshllëqet që u krijuan nga Qeveria e kaluar”.

Gjatë konferencës, Kryeminsitri u ndal dhe foli gjerësisht mbi vendimin e Brukselin, për mosçeljen e negociatave, duke dhënë edhe arsyet, që sipas tij ishin "çështje të brendshme të BE-së".

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “liderët e Bashkimit të sotëm Europian që nga Presidenti i Këshillit Europian, tek Presidenti i Komisionit, Komisioneri përkatës për Zgjerimin e kanë thënë më qartë sot, më shkoqur se asnjëherë tjetër se kjo që ka ndodhur është një rezultat i mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare për arsyet e tyre”.

Lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Rama tha se “kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh drejtpërdrejt nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm në takim, kemi qenë në kontakt edhe gjatë ditës së djeshme, edhe në mbrëmje, me disa prej tyre, kam komunikuar edhe me Presidentin e Francës, Manuel Macron dhe faktikisht nëse nëse duam të shikojmë drejt ne sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh duke e parë nga të gjitha kontaktet, nga të gjitha diskutimet se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë e një pjese të konsiderueshme të frontit që ishte për një ‘Po” të qartë.

Ndërkohë që Gjermania, theksoi Rama, bëri një lëvizje me shpresën për të pasur një pikë kompromisi duke i vendosur një ‘Por’ ‘Po’-së në mënyrë të përsëritur në takimet mes Kancelares Merkel dhe Presidentit të Francës në javën e fundit që koinciduan edhe me këtë këshill, kjo çështje është diskutuar dhe nuk ka pasur nga ana e tij asnjë hapje”.

Kreu i Qeverisë tha se “Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe kërkon një transformim të vetë procesit të integrimit, madje deri në pikën që të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit, që do të thotë një dhe ndërveprim me Ballkanin Perëndimor që nuk mund të zhvillohet sipas Presidentit të Francës me të njëjtin metodë që është zhvilluar procesi i deritanishëm i zgjerimit”./NOA.al