Nga Mentor Kikia: Kjo Europa mosmirënjohëse deri në palcë. Të nisim “hakmarrjen”!
Transmetuar më 18-10-2019, 23:55

Kjo Europa mosmirënjohëse deri në palcë. Të nisim “hakmarrjen”!

Nuk e meritonim këtë që na bënë. Na çuan dëm të tërë mundin dhe sakrificat. Çfarë nuk bëmë për këto negociata dhe për këtë BE-në. Nisëm reformën në drejtësi, shkarkuam gjysmën e gjykatësve dhe prokurorëve. Do të bëjmë edhe SPAK dhe BKH.

Nisëm të bëjmë edhe reformë zgjedhore.

Kemi dy vjet që nuk mbjellim kanabis (me shumicë) dhe ngelëm me prodhimin e parvjetshëm, që nuk është më aq cilësor.

Desh dënuam edhe Sajmir Tahirin, për pak, që ata burokratët atje në Francë dhe Holandë të na besonin se e kishim seriozisht.

Hoqëm nga parlamenti dhe nga bashkitë tërë ata burra të besës dhe të fjalës, vetëm sepse kishin vrarë nja a dy persona andej nga Brukseli kur kishin punuar si trafikanë në rini.

Përse i bëmë të gjitha këto. Për vete? Jo, kurrën e kurrës, për atë BE i bëmë, që sot na e shpërblen kështu.

Na thonë se duhet të bëjmë edhe më shumë. Po çfarë të bëjmë, të mos mbjellim fare, asnjë rrënjë?

Të mos nxjerrim asnje lek në tendera? Të shkojnë ministrat në punë me autobuz si “legena”, siç bëjnë në Danimarkë dhe Suedi? Këtë kërkojnë?

Këta e duan tua bësh “naftën” të gjitha reformave tani dhe ta shikojnë pastaj ça do të thotë.

Loading...
Loading...