Transmetuar më 22-10-2019, 20:07

Mediat spanjolle japin detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar nga Europol më 16 tetor.

Në operacion u arrestuan një grup shqiptarësh, të cilët akuzohen se grabisnin shtëpitë e futbollistëve të Real Madrid dhe Atletico Madrid.

Media spanjolle “Marca” raporton se “truri” i grabitjeve është shtetasi shqiptar Marjan Zefi.

Ai ka qenë pjesë e grupit që dhunoi dhe grabiti Joze Luis Morenon në vitin 2007, duke e qëlluar atë me sëpatë.

Në atë kohë, Zefi ishte pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga ana e Astrit Bushit, laçjanit që vrau edhe një polic të RENEA-s në vitin 2001, Altin Balozin.

Moreno në atë kohë përfundoi në spital, si shkak i dhunës së ushtruar nga ana e shqiptarit.

Mediat spanjolle raportojnë se pre e grabitjeve nga banda e drejtuar prej tij ranë edhe yjet e Real Madrid dhe Atletiko Madrid, si Karim Benzema, Alvaro Morato, Thomas Partey, Casemiro, Isco, madje edhe trajneri Zinedine Zidane.

Në banesat e futbollistëve ato përveç parave, vidhnin edhe sende me vlerë, madje edhe medaljet e Ligës së Kampioneve.

Europol publikoi emrat e shqiptarëve si dhe fotot e tyre. Në mesin e grabitësve ishte edhe një spanjolle, e dyshuar si e dashura e njërit prej shqiptarëve.