Tabaku: Qeveria Rama kampione në vjedhje, fsheh vlerën reale të inceneratorit të Tiranës/ Shifra
Transmetuar më 23-10-2019, 11:54

“Qeveria e Edi Ramës është kampione në vjedhje. Ka manipuluar dhe fshehur vlerën reale prej 296 milionë euro të inceneratorit të Tiranës”.

Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku bëri këtë denoncim ditën e sotme, ku në një dalje për mediat tha se në 6 vjet, qeveria e Edi Ramës ka treguar se ka vetëm një prioritet: të vjedhë sa më shumë dhe pastaj të vjedhë sërish.

Sipas saj, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se qeveria e Edi Ramës ka manipuluar shifrat për kostot e PPP-ve, veçanërisht për inceneratorin e Tiranës dhe se për këtë incenerator shqiptarët nuk do të paguajnë 178 milionë euro, siç ishte deklaruar më parë në kontratë, por 118 milionë euro më shumë.

Ajo shtoi se janë gjithsej 296 milionë euro për një koncesion, pronarët e vërtetë të cilit janë të fshehur në parajsa fiskale.

“Siç tregohet në tabelën e programit buxhetor afatmesëm dhe në tabelën e Kontrollit të Lartë të Shtetit për pagesat e inceneratorit të Tiranës, qeveria e ka fshehur me qëllim vlerën reale prej 296 milionë euro të kontratës, duke e kaluar mënyrë anti-ligjore këtë PPP korruptive. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon qartë se qeveria ka gënjyer për shifrat në kontratën e firmosur, pasi ajo po paguan 296 milionë euro ose 118 milionë euro më shumë sesa kishte deklaruar për koncesionin e inceneratorëve”, u shpreh Tabaku.

Në këtë linjë tha se, akoma më i rëndë është fakti se këta inceneratorë, sipas kryeveprës së korrupsionit të Edi Ramës, paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse nuk ekzistojnë.

Tabaklu shtoi se në dy vjet, qeveria e Edi Ramës ka bërë 44.3 milionë euro pagesa për inceneratorët fantazmë, një vjedhje ditën për diell e shqiptarëve dhe se nga të dhënat e thesarit rezulton se pagesat e kryera deri tani për çdo incenerator janë si më poshtë:

-Inceneratori i Tiranës 11.9 milionë euro

-Inceneratorin i Fierit 15.3 milionë euro

-Inceneratori i Elbasanit 17.1 milionë euro

Më tej nënvizoi se kush kërkon gjurmët e korrupsionit të qeverisë Rama, kush kërkon arsyet e refuzimit të Bashkimit Europian për këtë qeveri mjafton të shohë koncesionin e Inceneratorëve.

“Refuzimi i BE-së është vulë korrupsioni për qeverinë e Edi Ramës. Prandaj, kjo qeveri e ka të pamundur të përmbushë 9 kushtet e Bundestagut, një prej të cilëve është lufta kundër korrupsionit, është nxjerrja para drejtësisë e zyrtarëve të lartë të korruptuar. Çdo koncesion, çdo kontratë PPP-je është e lidhur ngushtë me vjedhjen publike që i bëhet pronës së qytetarëve, fondeve publike dhe pasurisë së tyre”, tha ndër të tjera zyrtarja demokrate. /a.y/noa.al