Transmetuar më 23-10-2019, 17:16

Të punosh, të investosh, dhe në fund prodhimin bujqësor ta hedhësh në kanal. Është kjo drama që po përjetojnë fermerët e Myzeqesë, sidomos ata të Divjakës.

Shembullin konkret e sjell një prej fermerëve të fshatit Babunjë në Divjakë, Kastriot Hoxha, prodhimi i të cilit përfundoi në kanal.

Investoi miliona për të ngritur sera dhe tani ai thotë se është në kushtet e mbijetesës.

Prodhimin e ka hedhur në kanal.

Kanalet dhe tokat janë mbushur plot me domate stok.

Madje edhe për këtë Kastriot Hoxha detyrohet të paguajë. Disa gra po e ndihmojnë. Një pjesë tjetër e ka lënë pa vjelë pasi mungon tregu. Situata sipas tij është e njëjtë edhe me trangullin.

Askush nuk ka interes për ta blerë, ndonëse tregu është i varfër dhe konsumatorëve u mungojnë perimet e freskëta. Puna dhe mundi u humbi kështu që mendojnë largimin nga atdheu.

Për të gjithë prodhuesit në Myzeqe ky është viti me i keq i bujqësisë gjatë 30 viteve të fundit. U nxitën nga qeveria për të mbjellë tokat me shpresën se do të subvencionoheshin, por thonë se prodhimi u ka mbetur pa shitur.

Për këtë situatë fermerët u ngritën dy herë brenda këtij muaj në protesta duke paralajmëruar përshkallëzim derisa qeveria të reagojë, ndërkohë që fenomeni përsëritet çdo vit me të gjitha produktet bujqësore, por ky vit duket se i ka gjetur ata edhe më keq akoma./NOA.al