Transmetuar më 24-10-2019, 01:27

Karta e studentit është një shërbim që duhet t’u vijë në ndihmë të rinjve që ndjekin universitetin. Aktualisht në Shqipëri kjo kartë është funksionale vetëm në Tiranë, me përjashtim të disa shërbimeve publike që jepen dhe në qytete të tjera. Së shpejti karta do të jetë funksionale edhe në qytetin e Vlorës, siç ka premtuar ministrja e Arsimit Besa Shahini.

Nga sondazhi që “Faktoje” hapi në rrjetet sociale “Facebook”, “Instagram” dhe “Twitter”, rezultoi se më shumë se 80% e sudentëve nuk e kishin përdorur asnjëherë kartën. Ndërsa nga intervistat pranë fakulteteve rezultoi se shërbimet për të cilat studentët kanë më shumë nevojë janë: transporti publik,  shëndetësia dhe ushqime me çmim të reduktuar.

“Faktoje” gjithashtu verifikoi shërbimet që ofron karta e studentit dhe nga kjo analizë  doli se shumica e tyre përshin kafenetë (18), estetikë & fitness (16) dhe shumë pak për librari e kancelari (4).

Karta e studenti në Shqipëri ‘përballë’ asaj të një studenti në Europë

Edhe pse në Shqipëri karta e studentit ka pak muaj që është funksionale, në vendet europiane kjo është një praktikë e hershme. “Faktoje” kontaktoi dy studentë me origjinë shqiptare por me shtetësi italiane dhe greke dhe i pyeti se çfarë shërbimesh përfitojnë ata me kartën e studentit, përkatësiht në Itali dhe Greqi.

Nevi.D 20 vjeç, e cila studion në Univeristetin “Bicocca”në Milano, na tregoi se përfitimi i shërbimeve me çmim të reduktuar përcaktohet në bazë të të ardhurave familjare të studentit. Shteti ka përcaktuar 3 kategori, për atë me të ardhura më të ulëta parashikon rimbursim më të lartë për studentët.

Karta e Studentit në Itali/ Nevi. D

Në listën e shërbimeve janë mensat ku të rinjtë përfitojnë të paktën një vakt falas, ndërsa pjesa e ushqimit rimbursohet në vlerë parash, e cila u kalon automatikisht në kartën e studentit, që shërben njëkohësisht edhe si kartë krediti. Përmes kësaj karte ofrohet gjithashtu ulje në dyqanet e veshjeve dhe pajisjeve elektronike, 50 fotokopje falas në muaj dhe ujë falas për të gjithë studentët e universitetit ku ajo studion. Ashtu si edhe në vendin tonë edhe në Itali për transportin publik studentët paguajnë më pak. Përvec kësaj një student përfiton ulje për libra, teatër, kinema, koncerte, etj.

Një tjetër student, Marjo. R 21 vjeç, i cili studion në Universitetin EPKA në Evia, qytet afër Athinës na përmendi si shërbim kryesor dhe që e ndihmon shumë në jetën e tij studentore, ushqimin falas që ofrohet në mensën e universitetit. Për të marrë këtë shërbim mjafton që të paraqesësh kartën e studentit dhe një vërtetim shkolle.

Karta e Studentit në Greqi/ Marjo. R

Shërbime të tjera në listën e atyre që përfshin kjo kartë janë: vizitat mjekësore falas në spitalet shtetërore, librat shkollorë me ulje, trasporti publik, kinema e teatro me çmim të reduktuar.

Ashtu si në Shqipëri edhe në vendet fqinje ku “Faktoje” kontaktoi studentë për t’u informuar mbi këtë temë, transporti publik është shërbimi kryesor që ofrohet për studentët me çmim të reduktuar. Nga verifikimi ynë, shërbimet me çmim të reduktuar që ofrohen përmes kartës në Itali dhe Greqi janë tërësisht të orientuara tek kërkesat bazike të një studenti, ushqimi, transporti, kultura dhe argëtimi. Ndryshe ndodh në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e shërbimeve për këtë kategori janë përqëndruar tek kafenetë dhe kujdesi ndaj pamjes (estetikës, fitnesit) edhe pse një studenti të një familjeje me të ardhura të ulëta, vështirë t’u mjaftojnë paratë për nevojat më jetike.