Transmetuar më 08-11-2019, 10:05

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për mediat italiane pas shpëtimit të vogëlushit 11 vjeçar Alvin Berisha i cili mbahej në kampin e Al Hol në Siri, pas vdekjes së të ëmës.

Gjatë konferencës, Lleshaj deklaroi se operacioni për shpëtimin e Alvinit ishte mjaft i ndërlikuar ndërsa kanë bashkëunuar në koordinimin policitë e të dy vendeve tona.

Më tej ai shton se operacioni ka ardhur pas takimit të kryeministrit Rama me homologun italian Conte, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan për lirimin e tij.

“Sot është një ditë e rëndësishme që fillon me kthimin e Alvin Berishës i cili ka arritur ti largohet ferrit ku ka jetuar dhe ka humbur një pjesë të fëmijërisë së tij. Falë angazhimit të gjithë aktorëve është kthyer pranë familjes së vet. Ka qenë operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë aspekte të rëndësishme. Operacioni ka marrë vëmendjen e dy kryeministrave, Conte dhe Rama. Ka pasur dhe një dimension të rëndësishëm diplomatik ku janë përfshirë të gjithë ambasadat tona.

Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit, dua vetëm dhe për këtë kam ardhur sot në Romë, për të shprehur falenderimit e qeverisë shqiptare së pari për autoritetet policore të dy vende, Presidentin e Kryqit të Kuq Italian dhe ndërkombëtar dhe të Gjysmë Hënës së Kuqe. Dua të them se edhe autoritetet libaneze mbështetën operacionin në terren. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme. Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve, që dhuna dhe terrorizmi mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë dhe këto raste të mos përsëriten më. Faleminderit që mundësuat që një djalë shqiptar të rikthehet në liri”, u shpreh Lleshaj.

Mëngjesin e sotëm vogëlushi ka mbërritur në Romë të Italisë, për tu bashkuar me të atin Afrim Berisha i cili trazoi një botë të tërë për të marrë mbrapsht të birin. I mituri është nisur nga aeroporti i Bejrutit në Liban, për të mbërritur në atë të Fiumiçinos rreth orës 07.00 të kësaj të premteje.

Në operacionin e shpëtimit të tij morën pjesë Kryqi i Kuq ndërkombëtar, Gjysmë hëna e kuqe siriane, si dhe autoritetet italiane, shqiptare dhe ato të Libanit. Alvin Berishës, mbahej në kampin e Al Hol në Siri, pasi u mor nga e ëma e cila u martua me një tjetër, pas largimit nga babai i 11-vjeçarit.

Teksa i shoqi Afrim Berisha punonte, ndërkohë që kishin emigruar në Itali, ajo ishte shtëpiake dhe nëpërmjet internetit vendosi kontakte me imamë në Prishtinë dhe Shkup mes tyre edhe me luftëtarë të ISIS, deri kur në dhjetor të vitit 2014, u largua bashkë me djalin vjeçar nga Italia për në Siri.

Ajo fillimisht shkoi në Turqi pas një udhëtimi me avion dhe nga andej në Siri, ku ndryshoi identitetin dhe mori emrin Yushra. Në Siri ajo u martua me një xhihadist shqiptar dhe u bë edhe me një djalë. Mirëpo gruaja humbi jetën si pasojë e një shpërthimi bashkë me të shoqin dhe djalin e tyre, ndërsa Alvini mbeti i plagosur rëndë dhe u mbajt për muaj me radhë në kampin e Al Hol në Siri./b.l/noa.al/