Transmetuar më 08-11-2019, 11:02

Seanca gjyqësore për Arbër Çekajn në Gjykatën për Krime të Rënda, ka nisur me 23 minuta vonesë për shkak të vonesës së kryesueses së trupit gjykues, Daniela Shirka, e cila mori konfirmimin në detyrë mëngjesin e sotëm nga KPK, në kuadër të Vetting-ut.

E megjithatë, seanca për dosjen e 613 kg kokainë është shtyrë sërish për në datën 20 nëntor, ora 10:00, pasi mbrojtësit e Donaldo Lushajt nuk u paraqitën në seancë. Gjithashtu, edhe avokati Maks Haxhiu nuk ishte i pranishëm për arsye të gjendjes shëndetësore.

Në fund të muajit shtator, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj tre të pandehurve.

Sipas prokurorit të çështjes, Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden”, kishte si rol transportin e lëndës narkotike nga Kolumbia deri në Shqipëri, ndërsa dy të pandehurit ishin përzgjedhur prej tij për të marrë ngarkesën nga Durrësi, duke e dërguar në magazinën në Shijak ku dhe u kap nga policia.

Kujtojmë se disa javë më parë avokati Haxhia është shtruar me urgjencë në spital pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale./b.l/noa.al/