Transmetuar më 08-11-2019, 12:22

“Një mrekulli që Alvin Berisha është gjallë sot”. Kështu ka deklaruar drejtori i SCIP, Giuseppe Spina, për mediat italiane.

Duke ju kthyer sulmit me bombë të korrikut të këtij viti në Siri, ai shpjegoi se në makinë me Alvinin udhëtonin e ëma, partneri i saj, vëllai nga e ëma si edhe një fëmijë që partneri i Valbonës kishte pasur nga një marrëdhënie tjetër.

Nga sulmi humbën jetën të gjithë personat që udhëtonin në mjet me përjashtim të Alvinit. Vogëlushi pësoi lëndime të rënda në këmbë, por ishte mrekulli që mbijetoi.

Ishte pikërisht ky moment që 11-vjeçari shqiptar do vendosej në kampin Al Hol të Sirisë. Spina theksoi se Alvini ka jetuar për 5 vite në një territor të destabilizuar, ku zhvillohet luftë.

Mëngjesin e sotëm vogëlushi ka mbërritur në Romë të Italisë, për tu bashkuar me të atin Afrim Berisha i cili trazoi një botë të tërë për të marrë mbrapsht të birin. I mituri është nisur nga aeroporti i Bejrutit në Liban, për të mbërritur në atë të Fiumiçinos rreth orës 07.00 të kësaj të premteje.

Në operacionin e shpëtimit të tij morën pjesë Kryqi i Kuq ndërkombëtar, Gjysmë hëna e kuqe siriane, si dhe autoritetet italiane, shqiptare dhe ato të Libanit. Alvin Berishës, mbahej në kampin e Al Hol në Siri, pasi u mor nga e ëma e cila u martua me një tjetër, pas largimit nga babai i 11-vjeçarit./b.l/noa.al/

Lleshaj: Alvini i shpëtoi ferrit, terrorizmi s’ka vend në shoqërinë tonë