Transmetuar më 08-11-2019, 20:47

Përballë kampionëve të Botës, në një stadium të ri, modern dhe me kapacitet mbi 22 mijë vende të ulura, pritet përveç një ndeshje futbolli, edhe një festë e madhe. Plani është për të krijuar një atmosferë që  Shqipëria nuk e ka përjetuar në një ndeshje tjetër të Kombëtares, sepse nuk ka pasur kurrë më parë një stadium që të mbledhë kaq shumë tifozë. Kujtojmë se aktualisht është e vështirë për të gjetur një biletë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, teksa u shpreh i bindur se Shqipëria do të presë kampionët e Botës, në “Arena Kombëtare” më 17 Nëntor, ditë kur do të inaugurohet stadiumi i ri, foli edhe si një ekspert lajmesh, duke hedhur poshtë zërat se stadiumi i ri nuk është ende gati.

“Lajmet që s’do luhet në kryeqytet janë lajme për klikime që bëjnë disa media pasi lajmi i keq shet me shumë”, tha Duka.

Pas ceremonisë protokollare të inaugurimit të stadiumit nga presidenti i FSHF-së Armand Duka, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe kryeministri i vendit Edi Rama, federata ka menduar edhe për një ceremoni festive më të gjerë, para se dy ekipet të zbresin në fushë.

“Në 15 minuta nga nxemja dhe deri kur te dalin lojtarët në fushë do të ketë një festë me ndriçimin me fishekzjarre dhe me këngëtarë”, u shpreh Duka.

Megjithatë përpara ndeshjes së Francë, presidenti Duka ka një paralajmërim për trajnerin Reja dhe ekipin kombëtarë në lidhje me ndeshjen me Andorrën që do të zhvillohet pak ditë përpara ndeshjes me Francën në “Elbasan Arena”.

“Uroj që Reja dhe stafi i tij së bashku me lojtarët mos ta kenë mendjen tek biletat dhe stadiumi në  ndeshjen me Francën por tek ndeshja me Andorrën. Nëse nuk marrin një rezultat atje do të na e prishin festën për ndeshjen me Francën”, theksoi Duka, për TCH.

Po cili do të jetë objektivi i ardhshëm i Presidentit të FSHF pas kualifikimit të kombëtares në europian dhe realizimit të projektit më të madh infrastrukturorë futbollistik si ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare”.

“Më duket ende si një ëndërr që kemi ndërtuar këtë stadium dhe sot e kësaj dite që futem tek ai. Ëndrra jonë e re do të jetë kualifikimi në një kampionat botëror.”

Do të jetë pikërisht ky objektivi që trajneri Edy Reja duhet të japë garanci para se atij t’i besohet edhe një kontratë dy vjeçare me kuqezinjtë, për Botërorin “Katar 2020”.

Por Shqipëria duhet të marrë tre pikë ndaj Andorrës dhe të jetë bindëse në lojë kundër Francës, që bisedimet mes FSHF-së dhe Edy Reja të zhvillohen normalisht, e ato të jenë sa më premtuese për të arritur një marrëveshje, pas dy takimeve të mbetura kualifikuese./NOA.al