Transmetuar më 09-11-2019, 14:07
Momente nga arrestimet

Një operacion i gjerë antidrogë i policisë së Gjirokastrës i koduar “Trekëndëshi”, ka vënë në pranga 16 persona. Krahas tyre katër të tjerë janë shpallur në kërkim dhe pesë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me atë të Tepelenës dhe Përmetit, si rezultat i hetimeve gjashtë mujore, zbuloi se një grup i mirëorganizuar personash, nga gjithë territori i qarkut Gjirokastër kryenin veprimtari kriminale në drejtim të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Gjatë finalizimit të operacionit më datë 8 dhe 9 nëntor, janë ekzekutuar pesë urdhëra ndalimi për pesë persona:

– B.S., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, për “Kultivim i bimëve narkotike”.(Në rolin e organizatorit dhe financuesit, pasi siguronte farat e bimëve narkotike);

– E.Sh., 41 vjeç, banues në Gjirokastër, për “Kultivim i bimëve narkotike”;

– B.K., 34 vjeç dhe K.K., 33 vjeç, banues në fshatin Gusmar në Tepelenë, për “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”;

– T.D., 35 vjeç, banues në fshatin Bënçë, Tepelenë, për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Ndërsa për katër personas të tjerë për të cilët kishte urdhër ndalimi konkretisht për shtetasit E.K., Gj.B., E.T., dhe J.S., gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa dhe u shpallën në kërkim, ku po vijon puna për kapjen e tyre.

Gjithashtu po në kuadër të operacionit janë proceduar në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” shtetasit: F.B., A.D., V.L., D.T., dhe G.E.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe policore të kryera në vazhdimësi dhe në mënyrë të pandërprerë në kuadër të operacionit policor “Trekëndëshi”, prej muajit maj dhe deri në nëntor janë arrestuar në flagrancë edhe 11 persona të tjerë:

– Në datën 24 maj 2019 u arrestuan shtetasit R. R., dhe I.M., banues në fshatin Picar, Gjirokastër. Këta shtetas janë kapur në flagrancë, duke tentuar të kultivonin bimë narkotike;

– Në datën 24 korrik 2019 u arrestuan për “Kultivim i bimëve narkotike” shtetasit N.Sh., M.Sh., Xh.M. dhe E.M., banues në Përmet;

– Në datën 28 korrik u arrestuan në flagrancë për “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” shtetasit S.B., A.B., dhe P.B;

– Në datën 8 nëntor u arrestua në flagrancë shtetasi M.E., për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”;

– Në datën 9 nëntor u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Gjithashtu gjatë zhvillimit të operacionit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, si rezultat i kontrolleve të kryera u kap shtetasi i shpallur në kërkim A.P., banues në Durrës, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. I ndaluari iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Fier për veprime të mëtejshme.

Bëhet me dije se operacioni është në vijim. /a.y/noa.al/