Transmetuar më 15-11-2019, 16:05

Me një vlerë që shkoi mbi 75 milionë euro, pra me kosto goxha të lartë, Shqipëria shpresohet të ketë më në fund një stadium me standarde evropiane.

I ngritur në mitikun “Qemal Stafa”, stadiumi tashmë pa emër është gati për të pritur sfidën e parë zyrtare, atë mes Shqipërisë dhe Francës, e vlefshme për fazën e grupeve kualifikuese të Euro 2020.

Nevoja për ndërtimin e një stadiumi kombëtar dinjitoz ka qenë e hershme, por pas ’90, për të gjitha qeveritë kanë munguar paratë.

Në vitin 2015, qeveria vendosi që stadiumi i ri që në fillim u quajt “Arena Kombëtare”, të ndërtohet me koncesion nga fondet e privatit, ndërsa 10 milionë euro i garantonin UEFA dhe FIFA.

Punimet për ndërtimin e Arenës Kombëtare nisën në qershor të vitit 2016, me shembjen e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”.

I projektuar nga grupi italian Serenissima Costruzioni, Arena Kombëtare parashikohej se do të kushtonte 50 milionë euro. Por ky ishte vlerësimi fillestar.

Sipas të dhënave zyrtare nga federata Shqiptare e Futbollit, stadiumi i ri ka kushtuar plot 75 milionë euro, nga të cilat 65 milionë janë paguar nga kompania “Albstar”, ndërsa 10 milionë euro nga Federata me fondet e UEFA-s dhe të FIFA-s. Asnjë lek nga buxheti i shtetit, ndërsa në këmbim kompania private ka përfituar 20 mijë katrorë mjedise tregtare, në brendësi të stadiumit, si dhe kullën, ndërsa në pronësi të federatës shkon stadiumi dhe 4 mijë metra katrorë zyra.

Stadiumi dhe kulla – nga satiristi Helidon Tahiraj

-Dua te shkoj ne Kukes. Sa kushton bileta, shofer? -7 mije euro. -Si bre, 7 mije euro, nga Hasi ne Kukes?! -Une do shkoj ne Londer, por meqe kam rrugen per ne Kukes, te marr po pagove 7 mije euro. Eshte si puna e stadiumit. Ai kushton 15 milione euro, por meqe 55 milione euro kushton hoteli, themi qe stadiumi kushton 70 milione euro…