Transmetuar më 16-11-2019, 01:10

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, publikoi pasditen e kësaj të premte, listën e kandidatëve të saj, që vijnë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroritë e Apelit për KED-në e re.

Në listë janë kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore.

Sipas kësaj liste, nga Prokuroria e Përgjithshme kandidatët janë, Arta Marku, Adnan Xholi, Adnand Kosova,  Alfred Progonati,  Alma Muça, Anila Leka, Arben Kraja, Bilbil Mete, Kujtim Luli, Sokol Stojani, Thoma Jano.

Të dy kategoritë e kandidatëve i dërgohen Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Por a do ta dekretojë Meta të shumëpërfolurën e opozitës, Arta Marku?

Ligji parashikon, që 2 anëtarë i zgjedh Gjykata Kushtetuese, 2 Gjykata e Lartë, 1 prokuror vjen si propozim i Prokurorisë së Përgjithshme, 2 gjyqtarë i zgjedhin Gjykatat e Apelit, 2 prokurorë i zgjedh Prokuroria e Apelit dhe 1 gjyqtar vjen nga Gjykata Administrative

Këtë vit Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në ngërç, pasi nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.

Çelësi zhbllokues është që KLGJ e KLP në vend të Gjykatës Kushtetuese e të Lartë mund të bëjnë propozime për gjyqtarët që mund të jenë pjesë e KED.

Sipas ligjit, shorti për përzgjedhjen e anëtarëve hidhet në Presidencë, nëse këtë proces nuk e bën Presidenti, atëherë fjala i mbetet Parlamentit.

Nëse rikthehemi në kohë, asnjëherë këtë të drejtë, pra hedhjen e shortit për KED, nuk e ka ushtruar Presidenti, as Bujar Nishani e as Ilir Meta, por gjithmonë shorti është hedhur nga Parlamenti.