Transmetuar më 17-11-2019, 13:49

Një operacion i policisë së Devollit i koduar “Kurila” ka vënë në pranga pesë persona të akuzuar për tentativë të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Të dyshuarit u kapën në kufi me Greqinë, gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, me çanta me drogë dhe të veshur si policë.

Të arrestuarit janë M.Z., 28 vjeç, banues në Korçë; A.K., 30 vjeç, banues në Korçë; K.N., 28 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë; B.D, 36 vjeç, banues në Korçë dhe D.P., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim R.T., 23 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq, i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe M.Z., 31 vjeç, banues në fshatin Moravë, Korçë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe armëmbajtje pa leje”.

Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë 37.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, duke u veshur me veshje të cilat mbanin mbishkrimin “Policia”, për ta pasur më të lehtë kalimin e sasisë së drogës nëpërmjet kufirit të gjelbër, në fshatin Kurilë, Devoll.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasia prej 37.5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, tre automjete të përdorura nga autorët e dyshuar në pronësi të shtetasve D.P; M.Z., dhe B.D; një sasi lekësh, 18.550 euro, veshje me mbishkrimin “Policia” dhe aparate celularë.

Aktualisht po vijon puna për kapjen e të dyshuarve R.T., dhe M.Z., për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si edhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, e ngelur në tentativë dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”. /a.y/noa.al/