Transmetuar më 17-11-2019, 14:25

Ish-ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj, reagon lidhur me ngërçin e krijuar në Gjykatën e Kushtetuese, ku për të njëjtin vend, Parlamenti ka votuar të propozuarën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa Presidenti Ilir Meta ka dekretuar, Marsida Xhaferllarin.

Ai thotë se në web-in e Gjykatës Kushtetuese, zonja Vitore Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj.

Xhafaj shton, “ Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK u bazua kjo vendimmarrje? Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e GjK. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin”.

Presidenti, sipas tij, në këtë rast nuk ka të drejtë, pasi ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor.

Xhafaj thotë se nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur.

Juristi i vjetër socialist shprehet se Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i ekspertizës më të mirë vendase e Opinioni i Komisionit të Venecias ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve dhe mekanizmave zhbllokues dhe se partnerët bashkëhartues të kushtetutës e ligjit të Gjykatës Kushtetuese duhet të reagojnë qartë.

Ai nënvizon se zbatimi i reformës kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri dhe se situata është koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim, por pasojë e mendjeve të nxehta e qëllim-këqija.

“Kur arsyeja mungon, fryma dhe gërma e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqsore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare”, deklaron Xhafaj. /a.y/noa.al/