Transmetuar më 20-11-2019, 14:51
Fadil Mema, Florenc Capja

Gjykata e Elbasanit, ka pushuar çështjen ndaj Florenc Çapjas, personit të akuzuar për tentativën e vrasjes ndaj Fadil Memës.

Kështu Çapja është lënë i lirë, për shkak të mungesës së provave në ngarkim të tij.

Çapja prej disa muajsh qëndroi në qeli, pas dy vendimeve gjykatash të cilat cakuan masën e sigurisë “arrestit në burg", për akuzën e veprave penale “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Bëhet fjalë për atentatin e vitit 2006, ndërkohë që Mema u ekzekutua në Itali në mars të vitit 2015.

Oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë në një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij.

Atentati erdhi pak kohë pasi në dhjetor të vitit 2005, biznesmeni Sokol Çapja u vra në një lokal pranë universitetit të Elbasanit. Policia nisi hetimet dhe arrestoi shumë persona, të cilët akuzoheshin për vdekjen e biznesmenit, ku në dosjet e policisë ndaj tij nuk kishte asnjë procedim penal dhe se biznesmeni Sokol Çapja bënte një jetë të qetë.

Pas kësaj vrasjeje, oficeri Fadil Mema u akuzua nga familja Çapja si organizator të atentatit pas një konflikti që ky oficer kishte pasur me Sokolin./a.y/noa.al/