Pas tërmetit shkatërrimtar, sigurimi i detyrueshëm për banesat
Transmetuar më 06-12-2019, 17:28

Nuk dihet sesa të afta do të ishin kompanitë tona të sigurimeve, nëse të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti do të ishin siguruar, për të paguar faturën që përllogaritet afërsisht në 1 miliard euro.

Kompanitë e sigurimeve do të paguajnë më shumë se 12 milionë dollarë për banesat apo bizneset e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit të cilat kanë qenë të siguruara.

“Ju jeni ne proces vlerësimi. Deri tani nga informacionet që kam, duket që dëmet në proces trajtimi janë 1943 banesa, por këto janë shifra dinamike. Në bazë të kalkulimit, dëmi total arrin 12 milion dollarë sot. Qytetarët do të paguhen nga kompanitë e sigurimit” deklaroi kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Takimin me përfaqësuesit e kompanive të sigurimit, kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, e shfrytëzoi për t’iu adresuar këtë kërkesë.

“ Listat e qytetarëve që do përfitojnë të depozitohen tek Komiteti i Emergjencës që mos të bëhet dëmshpërblim i dyfishtë. Ju kërkoj që listat zyrtare, t’i dorëzohen menjëherë qeverisë në mënyrë që institucionet shtetërore që do merren me rindërtimin të mos kenë kosto dyfishe”, tha ndër të tjera Ahmetaj.

Kompanitë e sigurimit garantuan se do të dëmshpërblejnë të gjithë qytetarët që kanë siguruar banesat apo bizneset e tyre, në kohë si dhe nisur nga situata e jashtëzakonshme, ata kërkuan që qeveria të miratojë sa më parë ligjin e detyrueshëm të pronës.

Pas çdo katastrofe natyrore në Shqipëri, qeveria hedh në diskutim ligjin për sigurimin e detyrueshëm të pronës. Aktualisht në vendin tonë, qytetarët nuk janë të detyruar të sigurojnë pronën nga katastrofat, pasi kjo shihet si vullnetare. Të dhënat tregojnë se të vetmit qytetarë që kanë siguruar pronën e tyre janë kredimarrësit, kjo për shkak se edhe ato i detyrojnë bankat.

Gjithsesi, nga kjo fatkeqësi natyrore, duket se edhe legjislacioni për sigurimin e banesave do të ndryshojë gjatë muajve të ardhshëm./NOA.al

Loading...
Loading...