Juventus pëson humbjen e parë sezonale, Strakosha mund C. Ronaldon
Transmetuar më 07-12-2019, 23:36

Juventus ka pësuar humbjen e parë sezonale në "Serinë A", italiane.

Takimi Lazio-Inter, luajtur mbrëmjen e sotme, përfundoi me rezultatin 3-1, në favor të kryeqytetasve.

Sfida nisi më mirë për Juventusin, që kontrollonte lojën dhe filloi të shohë shpesh nga kuadrati i Strakoshës, derisa në minutën e 25-të ishte Cristiano Ronaldo, që u gjend në vendin e duhur dhe shtyu në rrjetë një pasim të ardhur në zonë, duke kaluar bardhezinjtë në avantazh.

Goli zgjoi Lazion, që filloi të marrë kontrollin e lojës dhe përpjekjet u shpërblyen në minutën e parë shtesë, teksa pas një krosimi në zonë, ishte Luiz Felipe që shtyu topin në rrjetë me kokë, duke çuar skuadrat në pushim me rezultatin e barabartë 1-1.

Edhe pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar dhe spektakolare, ndërsa më të bukur e bëri edhe gjyqtari Fabri, që ndërpreu shumë pak lojën deri në minutën e 69’, kur Juan Cuadrado bëri faull si lojtar i fundit ndaj Immobile dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Me një lojtar më shumë në fushë, Lazio u hodh përpara dhe pas vetëm 5 minutash lojë, ishte Milinkoviç-Saviç që pas një vertikalizimi të Luis Albertos, ndali bukur topin në zonë dhe mposhti për herë të dytë portierin e Juves.

Pesë minuta më vonë Immobile pati mundësinë për të shënuar edhe golin e sigurisë, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, teksa Szczesny priti dy herë tentativën e tij për të dërguar topin në rrjetë.

Sarri provoi edhe kartën Higuain në minutat e fundit, por Juventusi nuk arriti të kërcënojë kuadratin e Strakoshës, ndërsa në minutën e katërt shtesë, në një zbritje të shpejtë, Lazio gjeti edhe golin e tretë me anë të sulmuesit Caicedo.

Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi, që e ngjit në kuotën e 33 pikëve, 3 më pak se bardhezinjtë dhe 5 më pak se Interi i vendit të parë.

Loading...
Loading...