Zbulimi i madh/ Ambasadori i Izraelit konfirmon pajisjen që parashikon tërmetet
Transmetuar më 09-12-2019, 16:23

Bota është goditur shpesh nga tërmetet, disa prej të cilëve kanë lënë pas pasoja të rënda, ndërsa shkenca ende nuk ka mundur dot të parashikojë apo sinjalizojë njerëzit për lëkundjet e nëntokës.

Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme, brenda dy muajve, si dhe u trondit nga një sërë lëkundjesh të tjera, duke krijuar panik në popullatë.

Tërmeti fatal i 26 nëntorit, që mori jetën e 52 personave, si dhe plagosi mbi 900 të tjerë dhe la pa banesa mijëra qytetarë, kryesisht në Durrës e Thumanë, po ashtu u shoqërua edhe me trauma për thuajse të gjithë shqiptarët.

Japonia, një vend që goditet shpesh nga tërmetet dhe e ka shumë të zhvilluar shkencën, nuk ka mundur dot të parashikojë tërmetet.

Sizmologët kudo në botë, pavarësisht studimeve, kanë deklaruar shpesh se tërmetet nuk mund të parashikohen. Por Izraeli pretendon se kohët e fundit ka mundur të gjejë "formulën", që bën parashikimin e tërmetit. Mediat izraelite kanë raportuar se brenda vitit pritet të dalë në treg pajisja që sinjalizon tërmetet 8 deri në 12 orë para se të godasë zona të caktuara.

Por këtë lajm e ka konfirmuar sot zyrtarisht ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler. Pajisja e pretenduar, me emrin "lonoterra", pritet që shumë shpejt të bëhet publike, ndërkohë praktikisht kjo pajisje duhet të japë efektet e saj në terren. /NOA.al

Loading...
Loading...