Transmetuar më 10-12-2019, 12:45
Gjate nje mbledhje te KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e ditës së sotme caktuar emrat e tetë gjyqtarëve për mediat, në tetë gjykata të vendit.

Bëhet fjalë për Vojsava Osmanaj – juridiksioni i Apelit Shkodër; Edlira Petri – juridiksioni i Apelit Tiranë; Desart Avdulaj – juridiksioni i Apelit Durrës; Klodiana Gjyzari – juridiksioni i Apelit Vlorë; Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë; Enton Dhimitri – juridiksioni i Apelit Gjirokastër; Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ dhe Saida Dollani – juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda, për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

KLGJ bën me dije se Gjyqtarët për Mediat do të ushtrojnë detyrat në funksion të rritjes së transparencës në veprimtarinë gjyqësore, si një element i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe një garanci më tepër për një gjykim të drejtë.

“Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe të shihet që bëhet, e për këtë, transparenca, në mënyrë të veçantë karshi medias, është thelbësore. Nëpërmjet transparencës dhe informimit të publikut, gjyqësori do të mund të evidentojë vlerat e gjyqtarëve, të lehtësojë ndërveprimin me publikun e të forcojë besimin e publikut në të, si mbrojtës i interesit publik dhe i të drejtave e lirive themelore të individit”, njofton KLGJ.

Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se mban në konsideratë se komunikimi me mediat si një institucion social, për të qenë efektiv e në shërbim të drejtësisë, si komponent thelbësor për një shoqëri të lirë dhe demokratike, duhet të jetë sa më i përgjegjshëm dhe profesional.

Po ashtu Këshilli njeh dhe kontribuon në lirinë e dhënies së informacionit të hapur dhe transparent për publikun, të shprehjes së lirë të mendimit dhe opinioneve, si themeli esencial i një shoqërie të hapur dhe demokratike, duke inkurajuar edhe formimin dhe shprehjen e mendimit të lirë kritik për vetë funksionimin e Këshillit dhe të sistemit gjyqësor.

Ndër të tjera nënvizohet se KLGJ, dhe në veçanti anëtari i caktuar për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun, do të bashkëpunojë ngushtësisht me Gjyqtarët e Medias për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun dhe mediat, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor. /a.y/noa.al