Transmetuar më 10-12-2019, 21:47

Ende pa fikur të parën, ndez cigaren e radhës. Shija e hidhur e kafes i duket e ëmbël para dhimbjes së humbjes së të afërmve në tërmetin e 26 nëntorit.

Sadriu humbi motrën, Fatmira Cara së bashku me fëmijët e saj Almiri, Erisa dhe Hasani si dhe nusen e shtëpisë. Tërmeti gjithashtu i mori edhe vëllanë, Kastriot Cakonin dhe vajzën e tij Dritën.

Pas tërmetit ai nuk është futur në shtëpi, me kokën nga dera pret që të vijnë ta përshëndesin motra dhe vëllai.

Sadri Cakoni: Po ne flasim, unë shikoj nga porta se mos vjen dikush nga këta (familjarët), vëllai, nipi.

E ftuam Sadriun të mblidhnim kujtime në rrënojat e pallatit, por vetëm mendimi e bën atë të lotojë.

"Nuk jam afruar, nuk ma mban. Nuk më mbajnë gjunjët. Nuk guxoj! Më duket një diçka e ngelur në tru, një kasetë shumë e keqe dhe e hidhur dhe e ndërroj rrugën. Kur ikën njerëzit ç’kujtime do marr. Këto janë kujtime të hidhura në jetën time dhe nuk afrohem dot fare", thotë Sadri Cakoni për RTV Ora.

Ai tregon se i kishte kërkuar motrës dhe vëllait të largoheshin prej atij pallati që në tërmetin e korrikut të 2018, por refuzimi i tyre sot ka veshur familjen e tyre me rrobat e zisë.

"Po, po e kishte thyer në mes. Unë i kisha kërkuar vëllait dhe motrës, mos u fusni më në banesë. Sa herë që binte tërmet prapë, ata vinin këtu. Iknin nga frika. Por ata nuk e morën prapë këtë guxim që të largoheshin prapë. Kjo ishte një diçka fatale", shprehet Cakoni.

Takimi i fundit me motrën dhe vëllanë ishte shumë i shkurtër, ky ndoshta është pengu i Sadri Cakonit.

"Ai ishte momenti i fundit që më kërkoi një cigare se erdhi nga peshkimi dhe i kishte mbaruar duhani. Edhe kur iku po e shikoja, më kishte marrë malli për të ndenjur me të, por ishte koha shumë e shkurtër për të ikur. Edhe s’u pa më në dynja. Me motrën jemi takuar në Fushë-Krujë. Nuk ka kohë për të pirë kafe i thashë dhe do shifemi. Kaq", thotë ai.

Sadriu tregon se kur nipi i tij Alesio, i cili u hodh nga katyi i pestë për të shpëtuar, u kthye në Thumanë, kërkoi të falenderonte të gjithë bashkëfshatarët të cilët e ndihmuan.

"Dua të dal në qendër më tha, po çfarë do bëjmë. U fut në dy lokale aty edhe tha këta xhaxh më kanë shpëtuar jetën, të pinë se dua të paguaj unë. E kanë çuar te varrezat më thanë dhe i kishte ndezur një cigare të atit, tek varri, vëllait. Kishte qarë tek varrezat, ishte dhe me një psikolog më thanë. Edhe i kishin sjellë këtu prapë", thotë Cakoni.

Ishin një familje e madhe, tani jemi një famile e vogël thotë Sadriu. Ai tregon se dramat në familjen e tij kanë qenë të shumta, aksident, djegia e shtëpisë, humbja e një motrës, humbja e të atit dhe arrestimi i vëllait në Itali, por gjithsesi Sadri Cakoni arrin të gjejë forcë për të kaluar këtë tragjedi.