Transmetuar më 14-12-2019, 18:03

Ish-deputetja e PD Grida Duma ka ndarë me publikun një pjesë të përjetimeve të saj nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi një pjesë të mirë të vendit por edhe ka komentuar mënyrën se si po menaxhohet situata.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Duma deklaroi se trauma ka prekur edhe familjen e saj, pasi gjyshërit nuk kanë pranuar të largohen nga banesa e vjetër, por gjithsesi ajo thotë se kjo është shumë e vogël në krahasim me humbjen e jetëve. Duma e sheh ndihmën nga Bashimi Europian si të vetmen zgjidhje për situatën.

“Trauma është kudo. Gjyshërit e mi edhe për shkak të moshës dhe për shkak të lidhjes me shtëpinë e tyre as që largoheshin nga banesa e tyre. Qëndruan në oborr. Por kjo është vogël në krahasim me traumën e madhe. Kanë pasur probleme. Po nuk është asgjë përballë jetës.

Që të nesërmen kam qenë në terren. Ditët e para ka qenë një shkretëtirë shumë e trishtë. Ikja pas dy ditëve, aty ishte një lloj eksodi i dytë. E mbaj mend eksodin e parë me anije, ky ishte i dyti. E trishtë dhe e dhimbshme. Kush ka kaluar në zonat ku banesat kanë rënë është shumë e tmerrshme. Ditë të kobshme kanë qenë. Ende sot nuk ka asnjë siguri. Një nga gjërat që pak është thënë ka qenë ndihma e munguar psikologjike. Kapacitetet duhet të vinin nga të gjitha vendet. Sidomos asistenca për fëmijët.

Ajo që shikoj në tërësi sot është një negativitet i madh kudo. A është e pranueshme plotësisht, a është e kurueshme po, a po kurohet, jo? Më vjen keq ta nis kështu. Kisha vendosur që çështjen e Edi Ramës se si po qeveris ta quaja çështje të zhdukur, ishte një çështje që shqiptarët e shikonin përditë”, u shpreh Duma.

Ajo tha se shqetësuese është edhe sjellja e kryeministrit Edi Rama, që sipas saj nuk ka një komunikim të besueshëm.

“Ajo që më shqetëson në këtë moment, ajo që e nisa me dhimbjen e vuajtjen, ajo që shikoj sot dhe më revolton është sjellja e kryeministrit si një xhongler gjendje shpirtërore", vijoi Duma.