Grabiti me armë pasagjerët dhe vrau policin, kush është i riu i ekstraduar nga Kroacia
Transmetuar më 15-12-2019, 09:31

Dy persona të dënuar në Shqipëri për vjedhje me pasojë vdekjen dhe prodhim e shitje narkotikësh janë ekstraduar nga Kroacia dhe Italia.

Policia e Shtetit bën me dije se falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, bien në prangat e policisë dhe ekstradohen drejt Shqipërisë, dy të kërkuar për vepra penale kundër personit, armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e narkotikëve

Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Zagreb/Kroaci drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Joland Bushati, 35 vjeç, banues në Lekbibaj.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për lirimin para kohe me kusht dhe vazhdimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur për 3 vite e 8 muaj e 24 ditë burg, i cili ka marrë formë të prerë me datë 04.01.2019, për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin A. P., ka grabitur me armë pasagjerët e linjës “Bajram Curri-Lekbibaj” duke qëlluar për vdekje shtetasin N. Gj., me detyrë punonjës policie. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Zagreb/Kroaci, u bë i mundur arrestimi i tij në Kroaci dhe ekstradimi drejt vendit tonë.

Po nga Z.Q.K Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma/Itali, i shtetasit shqiptar Vladi Sinani alias Vladimir Sinani, 29 vjeç, lindur në Bulqizë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...