Transmetuar më 15-12-2019, 17:09

Një tjetër lëkundje e tokës gjatë orëve të natës ka shkaktuar panik tek banorët më të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit, sidomos në Durrës, Tiranë, Kurbin dhe Lezhë.

Por ka pasur me qindra pas-lëkundje, që pas tërmetit të 26 nëntorit, çka kjo shihet më tepër pozitive për shkarkimin e energjisë nga specialistët.

Mëngjesin e kësaj të diele, rreth orës 2.18, lëkundja me e fortë që edhe është ndjerë ka patur epiqendrën në fshatin Kuraten në Gjirin e Lalëzit, në një thellësi prej 46 km.

Por sizmologët thonë se lëkundje do të ketë në vazhdimësi dhe nuk ka vend për panik.

Në fakt në 20 orët e fundit, ka pasur lëkundje shumë më të forta në një zonë tjetër sizmike. Në Filipine gjatë natës ka rënë një tërmet me magnitudë 6.8 ballë, më i fortë se ai që goditi Shqipërinë, por për fat epiqendra ka qenë në det, shumë larg zonave të banuara, duke mos shkaktuar cunam.

Tërmeti në Filipine raportohet se shkaktoi dëme materiale, por është pasuar, ndryshe nga tërmetet në Shqipëri, me disa pasgoditje më të shpeshta dhe më të forta, mbi 5.5 ballë.

Janë regjistruar 5 deri në gjashtë tërmete që kanë shkaktuar lëkundje të forta në zonën e largët të Azisë.

Megjithatë, në vendin tonë shqetësues është fakti se epiqendra e tërmetit është shumë pranë zonave më të populluara dhe nga ana tjetër duket se ajo që i shqetëson qytetarët është mosbesimi te cilësia e ndërtimeve.

Qytetarët kanë shkarkuar në telefonat e tyre aplikacionet që njoftojnë për lëkundjet e tokës. Por profesor Llambro Duni shpjegon se qytetarët duhet t’u referohen të dhënave që raportohen nga  Instituti i Gjeoshkencave Energjisë dhe Ujit, e cila raporton madhësinë e lëkundjeve sipas magnitudës lokale, ndërsa disa agjenci raportojnë madhësinë e lëkundjeve sipas magnitudës vëllimore të valëve, sikundër ka ndodhur edhe sot kur është raportuar madhësia e tërmetit 4.5 , ndërkohë që sipas magnitudës lokale është regjistruar 4.

Ndryshimi sipas Dunit është kur të njëjtën distancë e raportojmë me kilometra dhe milje.

Nga ana tjetër, psikologët u kërkojnë qytetarëve që të heqin aplikacionet që tregojnë lëkundjet e tokës nga telefonat e tyre pasi ndikon në rritjen e stresit.

Siç tregon harta në fotot, e ESMC, mbi lëkundjet në 24 orët e fundit, në të gjithë botën, edhe zona e Kretës në Greqi, prej tërmetit të fortë në Shqipëri, nuk ka gjetur paqe dhe vazhdon të tronditet nga disa lëkundje, ndonëse pa pasoja, por shqetësuese./NOA.al