Transmetuar më 21-12-2019, 17:27

Peshëngritësi i njohur Briken Calja ka bërë bilancin e vitit që lamë pas, ndërkohë që është një ndër shpresat e mëdha të vendit tonë, përpara Olimpiadës "Tokio 2020".

Briken Calja, mbi rëndësinë që kanë garat e vitit që vjen, u shpreh optimist, teksa ai bëri edhe një bilanc të vitit 2019. Plot 13 medalje ndërkombëtarë siguroi peshëngritësi, i cili pavarësisht një dëmtimi e konsideroi atë të suksesshëm.

Shqipëria ende nuk ka siguruar një medalje në historinë e olimpiadave, ndërsa "Tokio 2020" po afron dhe Briken Calja, e ka të qartë qëllimin, dhe objektivin dhe ëndrrën e madhe. Sporti i Peshëngritjes premton më tepër nga çdo sport tjetër dhe Briken Calja është peshëngritësi i momentit, pas suksesit të trefishtë si KAmpion Europe.

"Jemi gati në fund të vitit 2019, i cili qenë një vit i suksesshëm, nga ku kam arritur të rrëmbej plot 13 medalje ndërkombëtare në kampionate Europiane, Botërore dhe Grand Prix, duke e çuar në 33 numrin e medaljeve ndërkombëtare të fituara në të gjithë karrierën time, si askush tjetër në historinë e Peshëngritjes Shqiptare", theksoi Calja.

"Pavarësisht një dëmtimi në shpatull që më shoqëroi gjatë garës së fundit, arrita të rrëmbej plot 3 medalje për Shqipërinë, duke marrë pikë të vlefshme për olimpiadën e ardhshme".

"Sigurisht krenaria e të qenurit në këto maja ia lë vendin punës, nga ku na pret një vit tjetër me pritshmëri akoma më të larta".

"Suksesi ia lë vendin pasionit për këtë sport, punës dhe djersës", thekson Briken Calja. /NOA.al