Transmetuar më 16-01-2020, 17:04

Pas takimit me Komisionerin për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike dakordësimin me strategjinë e prezantuar. Basha tha para mediave se komisioneri për Zgjerim e ka prezantuar me strategjinë e tij, të cilën ai dhe opozita e bashkuar e mbështesin plotësisht.

“Më prezantoi me strategjinë që do paraqes ai, strategji që unë dhe opozita e bashkuar e mbështesim plotësisht. Prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hapja e negociatave, janë dy objektiva madhore, në harmoni dhe përputhje të plotë me njëri-tjetrin.

Mirëprita ndihmën e BE, që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore jashtë parlamentit ilegjitim, të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt zgjedhjeve të lira, ku të zgjedhin qytetarët. Pa ndodhur kjo, nuk do të ndodhë asgjë, që do të çojë vendin përpara. Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës politike dhe do bëjmë gjithçka”, tha Basha.

I pyetur nëse është gati që të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, lideri demokrat deklaroi i prerë se: "Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme".

Referuar tryezës së reformës zgjedhore, Basha tha se ndërkombëtarët nuk detyruan opozitën, por shumicën që të ulej në dialog. "Detyroi shumicën të pranoi ta nxjerrë procesin nga parlamenti ilegjitim i Damianëve reformën. E dyta se përse Rama vendos ta ndjekë këtë proces me dikë që duhet të ishte në burg, është pyetje për Edi Ramën dhe jo për mua" përfundoi ai./b.l/noa.al/