Hoqën dorë nga roli mbretëror, Harry niset për në Kanada te Meghan
Transmetuar më 21-01-2020, 14:26

Princi Harry i Anglisë është larguar nga Britania e Madhe për në Kanada, për tu bashkuar me të shoqen Meghan Markle dhe djalin Archie.

Teksa të shtunën mbretëresha Elizabeth, konfirmoi heqjen e titujve si dukë të Sussex, Harry transferohet për në Kanada, për të nisur jetën e re larg titujve mbretërorë.

Mediat britanike kanë publikuar pamje nga largimi i Harryt gjatë kësaj të hëne.

“Britania e Madhe është shtëpia ime, një vend që e dua. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë, por unë dhe Meghan nuk kishim zgjidhje tjetër”, tha Harry, gjatë një eventi bamirësie të mbajtur në Londër këtë të diel.

Më tej ai shtoi se dëshiron që ta dëgjojnë prej tij të vërtetën për ikjen e tyre nga Anglia dhe dorëzimin e ofiqeve mbretërore.

“Para se të nis, dua të them se mund ta imagjinoj atë që keni dëgjuar apo lexuar gjatë javëve të fundit. Për këtë arsye dua që ta dëgjoni të vërtetën nga unë. Jo si një princ, jo si një dukë, por si Harry, i njëjti person që shumë prej jush e kanë parë teksa rritet në këto 35 vitet e fundit, por me një perspektivë më të qartë”, tha Harry.

Kurse shtoi se ai dhe Meghan kanë dhe ndajnë të njëjtat vlera.

“U rrita duke pasur mbështetjen e shumë prej jush dhe ju kam parë teksa e prisnit Meghan krahëhapur. E di edhe që keni besim mjaftueshëm në faktin që gruaja që kam zgjedhur, ka të njëjtat vlera si unë. Ajo është gruaja me të cilën jam dashuruar. Pas martese unë dhe Meghan ishim shumë të lumtur dhe të nderuar që do të shërbenim për mbretërinë tonë. Por gjërat kanë ndryshuar. Vendimi për time shoqe nuk ishte aspak i lehtë. Kemi kaluar shumë muaj me diskutime dhe beteja. E di që nuk kisha gjithmonë të drejtë, kështu që dolëm me vendim”, tha princi.

Ai tha gjithashtu se shpresonin që ti shërbenin mbretëreshës edhe pa financime publike, por se kjo gjë nuk iu lejua.

“Do vijoj që të jem ai që kam qenë, i cili e ka përzemër vendin e tij dhe ia dedikon jetën kauzave të tij, organizatave jofitimprurrëse dhe komunitetit ushtarak që janë shumë të rëndësishme për mua”, deklaroi Harry. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...