Transmetuar më 22-01-2020, 11:12
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Beratit i koduar “Vëzhgimi” ka vënë në pranga një vajzë për shpërndarje të drogave të forta dhe shfrytëzim prostitucioni, si dhe një djalë i cili udhëtonte me të, po hetohet në gjendje të lirë.

Në kuadër të operacionit “Vëzhgimi”, në vendin e quajtur “Ypsiloni”, mbrëmjen e së martës u bë arrestimi i 25-vjeçares R. D., 25 vjeçe, banuese në Berat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të policisë rezultoi së drejtonte mjetin pa leje drejtimi, si dhe iu gjet në xhepin e xhupit, një sasi lënde narkotike kanabis sativa.

Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, iu gjetën disa doza me lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe një qese e vogël me kanabis.

Gjithashtu, nga ana e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për M. D., 24 vjeç, banues në Berat, i cili ndodhej së bashku me 25-vjeçaren R. D., në mjetin e saj.

Në bazë të hetimeve dyshohet se dy të rinjtë ushtronin edhe veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit, në bashkëpunim.

Ndaj tyre hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. /a.y/noa.al