“Mashtrim ordiner”, Haradinaj i kthehet Kurtit për uljen e pagave: E bën për tituj portalesh
Transmetuar më 12-02-2020, 12:20

Pas vendimit të kryeministrit aktual Albin Kurti për të ulur pagat e kabinetit qeveritar, ka ardhur edhe reagimi nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Haradinaj e cilëson vendimin e Kurtit një narrativë mashtruese të sjellë nga rruga, që sipas tij, nuk sjell asnjë ndryshim efektiv.

Ndër të tjera, Haradinaj thekson se ulja e pagave të ministrave është veprim politik tërësisht i pakuptimtë, si dhe një mashtrim ordiner, që Kurti po e bën për tituj portalesh, për të fituar “ca poena të shpejtë politik”.

"Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv. I tillë është edhe vendimi i sotëm për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës", shkruan Haradinaj.

Më tej ai thekson se se ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por për edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin.

"Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit. Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Qeveria normale do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese", përfundon shkrimin Haradinaj./b.l/noa.al/

Loading...