Detaje të reja nga vrasja e pesëfishtë në Gjilan, efektivja e policisë para disa muajsh kishte marrë paralajmërim
Transmetuar më 18-02-2020, 20:14

Mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gjilan të Kosovës, efektivja e policisë me iniciale V.B dyshohet se ka pasur probleme psikike dhe se para pak muajsh i është nënshtruar edhe një trajtimi psikik.

Pas tragjedisë së ndodhur në lagjen “Bujana” të Gjilanit, Prokuroria Themelore po heton shkaqet e që çuan efektiven për të vrarë katër anëtarët e familjes së saj, prindërit dhe dy vëllezërit, më pas edhe veten.

Sipas mediave kosovare efektives i ishte rekomanduar që t’i ulej edhe gradimi, por edhe përjashtimi, që nuk ishte marrë ndonjë masë e tillë para ngjarjes.

Ndërkohë tashmë Prokuroria ka filluar të hetojë  rastin mbi dyshimet rreth gjendjes psikike të polices e cila sot dyshohet se ka vrarë 4 anëtarët e familjes dhe veten.

Ky është versioni zyrtar i deritanishëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit:

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.

Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

Rasti është duke u hetuar./NOA.al

Loading...