“Berisha dhe Basha e dinë që Meta është i humburi, që kërkon të ngrerë popullin në revolucion”
Transmetuar më 18-02-2020, 21:35

OPINION nga Spartak Ngjela

Shihni se në çfarë mediokriteti patologjik është politika shqiptare. Të tremburit nga goditja antikorrupsion kanë rrënë në absurd politik, dhe po na shfaqin një tragjikomedi.

Meta sot foli për një lëvizje të gjerë popullore, që do ta drejtojë ai për të shpëtuar shtetin.

Është president i republikës, por nuk ka asnjë përfillje ndërkombëtare. Është një njeri i përbuzur ndërkombëtarisht nga politika perëndimore. Dhe, tani po kërkon ndihmë nga shqiptarët, të cilët i ka zhvatur në njëzet vjet rresht. Ka në rrezik edhe veten, edhe pronat e tij, të fituara me korrupsion, por neve na thotë se shteti është në rrezik. Dhe do revolucion. Po, me kë mendon ta bëjë këtë. Në fakt, ne na bën për të qeshur, por ai vetë është në vaj. Në të vërtetë, kështu shfaqen të gjitha tragjikomeditë.

l.

Presidenti Meta po e quan grusht shteti shkarkimin e tij. Dhe do t’i drejtohet popullit shqiptar, i cili, në fakt, nuk e sheh dot me sy Presidentin e tij Meta. Por, si ka mundësi që këtë "grusht shteti" në Shqipëri nuk po e sheh as Brukseli dhe as Uashingtoni?!

Megjithatë, Meta thirri sot vetë Bashën për ndihmë.

Ndërsa, Berisha dhe Basha e dinë që Meta është një i humbur që kërkon të ngrerë popullin në revolucion, por ata e dinë gjithashtu se ai ndërkohë nuk po di ku të fusë kokën, dhe prandaj kërkon ndihmën e tyre.

ll.

Çifti Meta thotë se paska blerë pallate dhe prona pa fund me "ndihmën" financiare të vjehërrit të Metës, një punonjës ambulant ky, që banonte në një gatibodrum te Shallvaret në Tiranë. Kjo është komedi.

Dhe, tani, të dy janë bërë si të tërbuar se do t’ua marrin ato prona me një proces diskreditimi. Por, edhe Meta do të shkarkohet, se tani nuk e bllokon dot më Gjykatën Kushtetuese. Këtu qëndron e vërteta e frikës Meta.

Sot, Meta na tha se e ka popullin me vete, ndërsa na tregoi gjithashtu se shpresën e ka te Basha dhe Berisha, që këta t’i drejtohen Partisë Demokratike për të mbrojtur Metën. Po, a nuk e di Meta që Basha ka një çështje të hapur në Uashington dhe Meta është krejt i padëshirueshëm për Uashingtonin?

Të gjithë këta, në fakt, janë të trembur nga reforma që po imponojnë amerikanët si politikë kundrejt një Shqipërie të korruptuar, me tendencën për të vendosur këtu drejtësinë dhe antikorrupsionin, kurse çështja Meta po kuptohet që do të jetë e para.

lll .

Ndërkaq, përkrahësit e tyre politikë, të korruptuar edhe ata, janë të trembur dhe po rrinë gjithë sy e veshë, duke pyetur: çfarë po ndodh?

Asgjë e veçantë. Po mbyllet laku juridik për shkarkimin e Metës. Ndërsa Meta kuptohet se është i likuiduar. Jermi i tij i sotëm, që tha se do t’i drejtohej popullit, erdhi si pasojë e frikës nga ngritja e Gjykatës Kushtetuese, që ka nisur. Dhe prandaj e thirri Bashën, që bashkë të drejtonin revolucionin popullor për mbrojtjen e korrupsionit.

Kurse Basha, pasi doli nga Meta na foli nepër dhëmbë për një rrotacion abstrakt, se e di që Meta ka hyrë në luftë me Amerikën, por, ama, me një fishek.

Basha e provoi vjet me molotovët, që i shpërndau vetë te hordhitë e tija, dhe pastaj, pasi u kërcënua, shkoi me një frymë dhe i mblodhi po vetë. Po Meta, e di këtë?

E pra, ky në fakt është një aspekt i tragjikomedisë që vjen nga frika e ndëshkimit që po pritet të ketë korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri. Dhe, siç duket, tani jemi në fillimin e fundit të tij.

/NOA.al

Loading...